Ilir Meta zbardh takimin 2 orësh me Donald Lu: Ja për çfarë diskutuam

14.02.2017 14:29:22

Kreu i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta ka mbajtur një deklaratë për median, ku ka sqaruar se për çfarë takoi sot për 2 orë ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Donald Lu. Sipas Metës, takimi ka pasur në fokus Reformën në Drejtësi.

“Ishim në një takim me ambasadorin amerikan dhe ekipin e tij, – tha kreu i Kuvendit. –  Natyrisht, ky takim tepër konstruktiv dhe bashkëpunues është në vazhdën e zbatimit të reformës në drejtësi në mënyrë sa më transparente, parimore dhe institucionale dhe e vuri theksin edhe në rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme, të standartit të tyre dhe përmbylljes së Reformës Zgjedhore që duhet të ishte përmbyllur me kohë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR si dhe zbatim të ligjit të dekriminalizimit.

Pyetjet:

Çfarë mendoni për rezervat që ka shprehur ministri i Drejtësisë Vasili për Operacionin e Monitorimit Ndërkombëtar?

Meta: Nuk jam këtu për detaje apo çështje të ndryshme, por për të konfirmuar vullnetin tonë për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet.

Në takimin që patët me ambasadorin ju thatë se folët për Reformë Zgjedhore ndërkohë që komisioni e shtyu afatin edhe një muaj…

Meta: Ishte për t’u ulur dhe reflektuar mbi rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it.