Iliriana Sulkuqi ShenValentini-Shën Dashuria…apo – “Shën” Maj-i

14.02.2019 13:55:50


(14 shkurt, 2003, duke u gdhirë 15-të. E jetuar me pikë e presje dhe e botuar që në atë kohë) 
– Epilog –


E BUKURA QË VRET MË SHUMË

Të gjitha festat janë të bukura. Kanë të veçantën e vet, domethënien, tisin e virgjër të lindjes së tyre. Por , ashtu si mëngjesi vjen para mesditës, si fjala vjen më parë se një këngë, si nëna para kujtdo në botë, edhe një festë mund të jetë në krye të të tjerave, si princeshë e pakurorëzuar.
Shën Valentini, më e ndjeshmja, më e prekshmja, më e dhimbshmja…
Se ç’ka një gjë biblike brenda vetes kjo festë! Ndoshta, ngaqë i afron njerëzit më shumë me veten e tyre, ndoshta i bën ata të kujtojnë Atë , që çdo sekondë e kanë pranë dhe nuk kanë sy e veshë ta shohin e ta dëgjojnë. Se ç’ka një pushtet të çuditshëm kjo festë! I bën të gjithë , të mirë e të liq, të mençur dhe të marrë, të pasur e të varfër, të vdekur e të gjallë – të jenë të barabartë, të paktën, para një dite-mit- Shën DASHURISE…
ME TE BRAKTISURIT…

Dija vetëm se ishte muaji shkurt. Se kishim disa ditë që kishim hyrë në ditët e tij të ftohta deri në ngrirje. Se kisha ditë që vishja dy palë çorape e dy-tri bluza njera mbi tjetrën. Se kisha net që s’më ngrohte as velenca e dërstilur, as kaloriferi. Se kishte net që po më rrëgjohej trupi, duke mbajtur këmbët mbledhur, aq sa gjunjët më ciknin në mesin e barkut. Kaq dija. Aha, harrova të them që isha vetëm, fare vetëm, në shtëpinë apo strehën me qera, ku muret më të akullta se akulli dhe shtretët bosh të pjesëtarëve të familjes, mërguar larg edhe vetë vetes, m’i shkurtonin orët më shumë se shkurti ditët e veta. Shkurtimisht, kaq dija. Nuk dija se ç’ditë e ç”datë ishte…
Një zile telefoni. Më pas një mesazh. Përsëri një “cërrrr…”, sërish një tjetër…
Mesazhe dhe urime nga larg dhe afër. Më uronin një datë-ditë të Shenjti. Kërkova falje te Zoti e te dita e Shën-it. Kërkova falje te gjysma e vetes sime tepër të kujdesëshme dhe shava gjysmën tjetër të ngrirë.
Nxitimthi u vesha., ashtu, siç vishesha njëherë e një kohë për “alarm luftarak”, ashtu siç ngrihesha vetëtimë, kur dëgjoja një kollë të lehtë të fëmijëve të mi,; më pas rënkimin e herë pas hershëm të nënës dhe sot për fëmijët e vajzës, që edhe pa u kollitur, më lenë pa gjumë…
Dola. Era e ngrirë e shkurtit më shkundi nga harresa dhe më freskoi pak sytë, djegur nga lotët pa kthim të natës…
Thuajse somnambul u ndodha në pikë-vend-takimin e një, jo, dy telefonatave…
Në pikëtakimin e parë m’u dhurua një libër dhe një hark degëze prej një luleje disi të veçantë, e cila me muaj të tëra nuk u zverdh që nuk u zverdh…Librin, o Zot, e lexova brenda natës, me një të mijtën e frymëmarrjes, duke nxjerrë këmbët herë pas here nga velenca, duke i shtrirë deri te personazhet e tij…
Në vendtakimin e dytë. Me miken time kolege apo sivajzën time. Me mesazhieren e parë të asaj dite të shenjtë.
Një përqafim i urimtë…Një çaj, një birrë; përkujdesje e përkushtim, gjithsesi për të më plotësuar të munguarit… ( bar-kafeja ishte ndanë bulevardit kryesor të kryeqytetit), buqeta-buqeta lulë-viznin njerëzit. Të gjitha moshat. Në të njejtin drejtim…Drejt një gjelbërimi pranë kaltërsisë së liqenit artificial…
-Ku do të shkosh sot?- më pyti mikesha teksa isha përhumbur nga bulevardi.
-Nuk e di.
-Eja me mua!..
Jo, jo…Po ti? 
-Do të dal me familjen. Eh, ditë feste!…
-Festë? Ç’festë, moj zemra ime?!…
U përqafuam dhe u ndamë duke marrë dashurinë e monologun e njera – tjetrës.
Pa bërë akoma dy hapa në drejtim të kundërt me sivajzën time, pa kuptuar ende “Festën“ e kësaj turme që mbushte bulevardin, që ngjante më shumë me një ditë karnavalesh, marrëzia e marrëzisë sime më çoi drejt shenjtërisë njerëzore.
Nuk kisha ecur ndonjëherë me hap aq të sigurt, sa ato pak minuta, drejt një ndërtese të vogël e të madhe, me një emër simbol, të dukshëm: “Shtëpia e fëmijëve…”
-Erdha të marr disa fëmijë…Për shetitje. Disa nga ato të braktisurit nga dashuria…
-(???!!!) Njihni ndonjë?
-Po. Të gjithë. Po sot do të marr disa, nga ato më të rriturit këtu.
-…?!
U futa mes tyre. Si ato. Po aq e vogël, po aq e pafajshme, por shumë fajtore për brezat para meje, baraz-meje.
Sakaq nxitonim hapat drejt vorbullës marramendëse të turmës, në të njejtin drejtim.
Fluturoja me krahë të prerë. 
Cicërima. Vetëm cicërima. Jo nga zogjtë, jo. (Ato kushedi në ç’pyllë të bukur Myzyri-an këndonin sinfoninë e tyre të parajsës…).Cicërima celularësh…Nga larg, nga afër…Nga zemra e shpirtëra. Kor “Nabukodonosov”( Ngrihuni ju, o të munduar ( të dashuruar…)
Të gjithë me fëmijë për dore, me burrin apo gruan në krah, me prindër apo teze, halla, nipër stërnipër…, duke mezimbajtur çanta ( sigurisht nga rëndesat e ushqimeve, piknik hesapi). Njera dorë u ngrinte në vesh duke shtrënguar celularin…
Edhe unë i shtrëngoja duart fort, fort, me doçkat e fëmijëve dashurorë, me të pafatët e me engjëllorët…
-1 Maji është sot, teta?- më zgjoi nga marramendja Genti, duke më tundur dorën…
Nuk u trondita. Madje edhe vetë e kisha humbur nocionin kohë.
– Jo, jo Genti…Është shkurt. 14 Shkurt. Festë nga më të bukurat, ja ashtu, si Maji, si « Shën » Maji. (Këtë të fundit e thashë nëpër dhëmbë, si për t’ia thënë më shumë vetes…)
Akoma më e vogël, m’u duk vetja para këtij fëmije…Vërtetë. Po 14 Shkurti?… Po Shën Dashuria?…Mos është në drejtim të paditur, andej nga vinin sinjale celularësh?!..
Festë-arnë, festë e padeshifruar…
Putha Shën- Fëmijët e lindur dhe braktisur nga Dashuria dhe dënova lotët në kasën e shpirtit tim.

Iliriana, sot e përgjithmonë, pranë të gjitha dashurive
Brooklyn, NY, 11shkurt, 2018