Poezi nga Fatmir Terziu

14.02.2019 13:19:37

Vetë-portret: mosha pas-Shën Valentinit

Pretekst:

“Merr zjarr më vër flakën
më bëj moj vajzë krejt hi 
sytë e tu më kallën datën
më bëj të mos shoh tek Ty.”

Kontekst:

Ajo ulet në një verandë prej druri
në një karrige që mësoi formën e saj të rehatshme
gjatë dekadave të bisedës me zjarrin.
Flokët e saj, ende të errëta,
tendosur me një pëlhurë prej grije të argjendtë
cullufen në krye të kokës së saj 
një brez nderi, dhuruar nga jeta.
Faqet e saj, ende të rrumbullakëta.
Sytë e saj, ende të gjelbra s’pyesin.
Gishtat e saj, ende të shkurtra 
si ata kërcuja prej druri kur ndez zjarrin.

Pa tekst:

Me një lëvizje të lehtë dhe një fishkëllimë, 
tymi i butë i duhanit
merr frymë nga sekretet
në gjuhët e folura 
vetëm nga ata që kuptojnë pemët.

Në tekst:

Ajo pi një çaj të hidhur nga një filxhan prej balte
përsërit me vete 
emrat e secilit prej zogjve
që fluturojnë në dritaren e saj.
Ajo than oshafkat e kumbullave,
vetëm për ta hedh bardhësi
mbi hapësirën që rrethon
trarëve dhe binarëve që nuk dyshojnë
në rënien e pluhurave të kohërave.

Jashtë tekstit:

Një metaforë, eh, dyshon ajo.
Ajo humbet një melodi të njohur për veten
dhe çarrit një buzëqeshje të rrudhur.
Ulet jashtë tekstit, flet me zjarrin duke trazuar 
Bota, siç e njeh,
është vetëm duke pritur që të jemi ndonjëherë të gëzuar.