Inaugurohet zyra e shërbimeve në policinë e Beratit, Tahiri: Shpejtësi dhe transparencë

29.01.2017 14:16:39

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka marrë pjesë në inaugurimin e Zyrës së Shërbimeve Qytetare në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat. Ai deklaroi se në këto zyra qytetarët marrin mbi 80 shërbime me shpejtësi, transparencë dhe mbi të gjitha pa korrupsion.

Në ndryshim nga e shkuara, ku qytetarët sorollateshin zyrave të policisë për të marrë një shërbim sot situata është krejt e ndryshe pasi  qytetarët i kanë të gjitha shërbimet e fokusuara në një zyrë të vetme shërbimi, tha ndër të tjera ministri Tahiri

“Kjo është zyra e shërbimit në drejtorinë e qarkut Berat, me mbi 80 shërbime për qytetarët në këtë qytet dhe në të gjithë qarkun. Ne jemi shumë të vendosur për forcuar filozofinë dhe mentalitetin e shërbimit te Policia e Shtetit për qytetarët, si të vetmen rrugë për të ndërtuar besim dhe si të vetmen rrugë që bashkërisht me qytetarët të kemi më shumë siguri, qytete më të sigurta dhe komunitete më të sigurta.

Janë hapur zyrat e shërbimit thuajse në të gjithë Shqipërinë duke garantuar që shërbimi është i shpejtë, në kohë, me transparencë maksimale dhe mbi të gjitha pa korrupsion. Nëse e krahason me të kaluarën, qytetarët në të kaluarën nuk shërbeheshin por sorollateshin dyerve të policisë për të marrë një shërbim. Sorollateshin në dyert e policisë për të dhënë një denoncim. Sot qytetarët i kanë të gjitha shërbimet e fokusuara në një zyrë të vetme shërbimi”, tha mes të tjerash Tahiri.