Gjykata bllokon urdhrin e Trump për deportimin e personave që udhëtojnë me viza

29.01.2017 14:19:54

Një gjyqtar federal mbrëmë vonë e ka publikuar një urdhër të jashtëzakonshëm, me të cilin i ka bllokuar përkohësisht autoritetet e Shteteve të Bashkuara nga dëbimi i refugjatëve të cilët kanë arritur në aeroportet e Shteteve të Bashkuara me viza të rregullta.

Unioni Amerikan i Lirive Civile thotë se urdhri ka të bëjë me afro 200 njerëz të arrestuar në aeroportet amerikane ose të cilët janë udhëtarë tranzitorë.

Departamenti i sigurisë së brendshme i Shteteve të Bashkuara tha se më tepër se 190 njerëzve nuk u ishte lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara gjatë 24 orëve të para prej fillimit të zbatimit të një urdhri të ri ekzekutiv për emigrantët.

Vendimi i gjyqtarit federal u bë pas urdhrit ekzekutiv të presidentit , Donald Trump, për “verifikim ekstrem” të vizitorëve nga 7 vende me popullatë shumicë myslimane, që ka çuar në kaos në disa aeroporte amerikane, ku ka pasur protesta të ashpra dhe janë shënuar edhe ankesat e para gjyqësore.