Instituti i përçarjes kombëtare nuk mund ta durojë Institucionin dhe Kalorësin e pajtimit, Anton Çettën!

08.07.2018 10:55:15

Nga Rexhep Kastrati

Anton Çettën, populli e mban mend si një mbledhës të zellshëm të folklorit shqiptar, dhe në shkencën e albanologjisë, ai konsiderohet si një ndër themeluesit e folkloristikës bashkëkohore shqiptare.

Si mbledhës dhe studiues i folklorit shqiptar, Anton Çetta ka bërë një punë të vëllimshme, të lavdueshme dhe që ka mbetur një kontribut i madh dhe i rëndësishëm edhe sot dhe paraqet një pjesë të rëndësishme të shkencësisë dhe të kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Pjesën më të madhe, apo tërë këtë punë të madhe shkencore dhe kombëtare, Anton Çetta e ka bërë si punonjës i Institutit Albanologjik, ku më 1968 është zgjedhur drejtues i Departamentit të Follorit në këtë Institut.

Mirëpo, populli e mban mend edhe si udhëheqës i aksionit popullor për shuarjen e hasmërive dhe gjakmarrjes shqiptare në kohën kur qenies kombëtare shqiptare i kanosej rreziku ekzistencial nga makineria represive dhe kriminale serbe.

Përmasat e këtij aksioni kanë qenë të mëdha dhe përveç aspektit human, pajtimtar, përbashkues, aksioni për shuarjen e hasmërive dhe gjakmarrjes kishte edhe mesazhet e rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare: nuk është e vërtetë se shqiptarët po u lanë të lirë, vrasin njëri-tjetrin, siç e kishte bërë të besojë propaganda serbe dhe e aleatëve të saj.

Në këtë aksion të përmasave gjigande, populli shqiptar ishte bashkuar si kurrë më parë, ishin bërë bashkë priftërinjë, hoxhallarë, shehlerë, intelektualë dhe personalitete të rëndësishëm dhe kudo priteshin si misionarë kombëtarë!

Ky aksion paraqiste shpirtin e paepur, shpirtin e fuqishëm dhe të brumosur në ndjenjën dhe krenarinë kombëtare, kurse bota e konsideronte një mrekulli të paparë se si një popull ishte në gjendje të realizonte pajtimin, bashkimin dhe betimin, dhe për më tepër se si një intelektual i konfesionit katolik pritej në mënyrë madhështore nga një popullatë me shumicë muslimane. Në këtë mënyrë shqiptarët, e çonin në vend atë që atë Gjergj Fishta kishte thënë shumë dekada më parë: Ne kemi Bajram e Pashkë/por shqiptarinë e kemi bashkë!

Prandaj, do të duhej vetë Instituti Albalogjik të kërkonte që busti, apo lapidari i Anton Çettës të vendosej në oborrin e tij dhe të krenohej me këtë personalitet të rëndësishëm të kulturës dhe të kombit!

Mirëpo, për fat të keq, edhe pas 19 vjet nga përfundimi i luftës dhe 28 vjet nga fillimi i aksionit për shuarjen e hasmërive dhe të gjakmarrjes, fryma nihiliste, meskinitetit dhe pafytyrësia, e pse jo edhe pabesia e individëve që e kanë uzurpuar këtë institucion të rëndësishëm të shkencës alabologjike, vazhdojnë avazin e vjetër të refuzimit dhe të luftimit të çdo personaliteti dhe të çdo vlere politike, shkencore e kombëtare, që është mishëruar, ka buruar dhe është identifikuar me lëvizjen liri, pavarësi, demokraci në krye me presidentin Rugova!

Në këtë mënyrë, drejtuesit e këtij institucioni shkencor na tregojnë edhe arsyen se përse Serbia, në kuadër të Marrëveshjes së Arsmit të vitit 1996, kishin liruar vetëm godinën e Institutit Albanlogjik, por jo edhe objektet e shkollave dhe universitetit të Kosovës!

Dhe ajo që na bie në mend është pikërisht shndërrimi i Institutit Albanlogjik në një çerdhe, në një seli të gjithë atyre që frymëzuan, organizuan dhe morën pjesë në një mision kundërkombëtar për përçarjen dhe luftën vëllavrasëse, pra në një mision të kundërt me misionin që kishte realizuar Anton Çetta dhe gjithë populli shqiptar: misionin  e pajtimit, të bashkimit dhe të besatimit kombëtar.

Rexhep Qosja që ka një paranojë, një urrejtje patologjike ndaj kontributit shkencor, politik dhe kombëtar të presidentit Rugova dhe të LDK-së, njeriu që kurrë nuk kishte njohur organizimin politiko-institucional të Kosovës gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, do të marrë kurajon e zezë që ndërkohë që çdo pëllëmbë toke e Kosovës përgjakej me gjakun e popullit shqiptar nga makineria gjenocidale serbe, të deklaronte se serbët duhej të kishin të drejtën për vetëvendosje në Kosovë, e që sot po përkthehet qoftë si “Republika Srpska”, qoftë si skenar ukrainas, qoftë si shkëmbim territorial.

Në këtë kontekst, duhet thënë se refuzimi i Institutit Albanologjik që të vendoset busti i Anton Çettës në oborrin e tij, është vetëm vazhdimësi e luftës së marrë dhe kundërkombëtare të kallëpit dhe servilëve të Rexhep Qosjes dhe të gjithë atyre që kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka kundër interesave shtetërore dhe kombëtare!