IPK nis hetime ndaj policëve që mbrëmë rrahën një person në sheshin e Prishtinës

13.09.2020 12:57:16

nspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet, pasi një qytetar është arrestuar me forcë mbrëmë në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Arrestimi i këtij qytetari ka ngjallur reagime për mënyrën se si Policia e Kosovës kishte vepruar ndaj tij.

IPK ka njoftuar e mbrëmë rreth orës 22:00 përmes “Linjës së Kaltër” (numri i telefonit pa pagesë 080003333) kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur më rreth orës 21 e 30 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Njoftimi i plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë pas orës 22:00 përmes “Linjës së Kaltër” (numri i telefonit pa pagesë 080003333)  kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet  e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur më rreth orës 21 e 30 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Incidenti ishte raportuar të ketë ndodhur mbrëmë kur njësia policore gjatë realizimit të detyrave konkretisht gjatë patrullimit në sheshin “Nënë Tereza” ka hasur në qytetarin  i cili ka qenë pa maskë mbrojtëse dhe është arrestuar nga policia me dyshimin për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Hetuesit e Inspektoratit Policor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes si dhe prokurori kujdestar dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me këtë rast.

 Ankuesi (i arrestuar nga policia) është dërguar për trajtim mjekësor përderisa raportohet se edhe një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore gjatë arrestimit.

Hetuesit e IPK-së janë duke hetuar këtë rast lidhur me pretendimet e ankuesit për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës me rastin e arrestimit si dhe pas tij.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.