Irak, mbi 62 mijë civilë janë zhvendosur që nga fillimi i ofensivës në Mosul

19.11.2016 14:51:03

Më shumë se 62.000 civilë janë larguar nga shtëpitë e tyre në mes të operacioneve të vazhdueshme ushtarake për të larguar grupin terrorist DEASH nga qyteti verior i Mosulit, bëri të ditur qeveria irakiane.

Diyaa Salal nga Ministria për Migracionin tha se 62.399 persona janë shpërngulur që kur ushtria filloi ofensivën e madhe për të rimarrë Mosulin nga militantët e DEASH-it më 17 tetor.

Iyad Rafed, anëtar i Gjysmëhënës së Kuqe të Irakut tha se normat e përditshme të eksodit të refugjatëve kanë qenë në rritje. “Më shumë se 3.000 njerëz janë duke ikur nga zonat e tyre në ditë, krahasuar me 1.500 gjatë ditëve të fundit”, tha ai.

Ai lidhi numrin e rritur të irakianëve të zhvendosur me përleshjet e vazhdueshme mes militantëve të DEASH-it dhe forcave irakiane si dhe me mungesën e ushqimit dhe medikamenteve.

Të premten, Gjysmëhëna e Kuqe e Irakut tha se mbi 79.000 civilë janë zhvendosur që kur filloi operacioni muajin e kaluar në Mosul.