Isa Mustafa: LDK e hapur për të gjithë në të mirë të një qeverisjeje të vullnetit popullor

13.11.2017 10:57:53

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u është drejtuar me një mesazh qytetarëve të Kosovës me rastin e fillimit të fushatës për balotazh në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Nëpërmjet një postimi në facebook, z. Mustafa ka shprehur vullnetin e LDK-së për të qenë e hapur për të gjithë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të atij që ai e quan procesi demokratik të filluar më 22 tetor, dhe në funksion të një qeverisjeje të vullnetit popullor.

Z. Mustafa, po ashtu, ka theksuar se ofrojnë bashkëqeverisje, tejkalim të ndarjeve dhe që t’i ofrohet shansi gjithësecilit për të qenë pjesë e zhvillimit, pavarësisht nga ngjyrimet politike, ideologjike etj.

Ky është postimi i plotë e z. Mustafa në facebook:

Të nderuar miq, qytetarë të Kosovës,

Sot po hyjmë në fazën e fundit të garës për të zgjedhur kryetarët e komunave.
Fazën e parë e përfunduam me sukses. Me 19 nëntor kemi shansin dhe detyrimin që procesin demokratik të filluar me 22 tetor, ta ruajmë dhe forcojmë në mënyrë që vota qytetare të prodhoj qeverisjen e vullnetit popullor.
Fushata që do zhvillojmë këto ditë dhe vota që do kërkojmë për kandidatët tanë, për ne si Lidhje Demokratike e Kosovës, do të jetë fushatë dhe zotim i sinqertë që iu drejtohet të gjithë qytetarëve.
Ne ofrojmë një projekt të përbashkët bashkëqeverisjeje, i cili kalon ngjyrat politike, ideologjike apo çfarëdo dallimi tjetër.
Qytetet tona, lagjet ku jetojmë, për të ndryshuar kërkojnë vullnetin, idetë dhe përpjekjen e secilit.
Ne jemi në gjendje që t`i tejkalojmë dallimet dhe t`i japim shansin secilit që të jetë pjesë e zhvillimit.
Ne dëshirojmë ta tejkalojmë ndarjen prandaj do kërkojmë që të gjithë të Lidhemi rreth një projekti perspektiv për fëmijët tanë.
Projekti ynë është i hapur për të gjithë.
Ne jemi gati. Na shkoftë mbarë të gjithëve!