Projekti për parkim-gjelbërim dhe projekti për objektin e ri të Kuvendit Komunal, projekte me rëndësi jetike për qytetarët e Ferizajt

13.11.2017 10:41:46

Ferizaj do të bëhet me një hapësirë të madhe parkimi dhe gjelbërimi, si dhe me një objekt modern për administratën komunale.

Këtë parashohin dy projekte të mëdha që Muharrem Svarqa me ekipin e tij kanë planifikuar ta realizojnë gjatë mandatit vijues, pasi që janë projekte me rëndësi për komunën dhe qytetarët e saj.

Jo vetëm në Ferizaj, por në çdo komunë, çështja e parkimit të automjeteve paraqet një nga problemet themelore me të cilën ballafqaohen qytetarët gjatë veprimtarisë së tyre ditore.

Prandaj, zgjidhja e kësaj çëshjeje është me rëndësi jetike për qytetarët.

Projekti që parasheh ndërtimin e një parkimi nëntokësor me kapacitet 2000-2500 vetura, e që do të ketë edhe një park të gjelbëruar rreth 1500 metra katror, është një projekt ambicioz dhe shumë i rëndësishëm, e që do të ndikojë si në krijimin e kushteteve për të shmangur tollovitë dhe parkimet vend e pavend të automjeteve, edhe në rritjen e hapësirave të gjelbëruara në funksion të një ambienti më të gjelbëruar, ashtu edhe për mundësi pushimi, reakritiviteti dhe relaksi të qytetarëve dhe familjeve në përgjithësi.

Në anën tjetër, rritja e hapësirave për punë të administratës komunale si dhe modernizimi i këtyre hapësirave do të rrisë kapacitetet e punës në funksion të projektimit dhe realizimit të projekteve të ndryshme në interes të qytetarëve, por edhe do të lehtësojë dhe përshpejtojë ofrimin e shërbimeve komunale për qytetarët.

Ky projekt që do të realizohet në lokacionin e shkollës fillore “Gjon Serreqi” në Ferizaj, do të jetë një nga projektet funksionale që do të jetë në shërbim të plotë të qytetarëve.