Ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berishën e vizitoi një delegacion i degës së LDK-së në Zvicër

04.08.2016 09:51:55

Një delegacion i Degës së LDK-së në Zvicër i kryesuar nga kryetari Z. Haki Latifi vizitoi ish Kryetarin e Parlamentit të Kosovës dhe ish sekretarin dhe nënkryetarin e LDK-së z. KOLË BERISHA, kështu thuhet nënjë njoftim të sektorit për informim të kësaj dege. Sipas këtij njoftimi, vizita është realizuar dje më 3 gusht, kurse më tej thuhet:

“Delegacioni i Degës së LDK-së në Zvicër u prit nga z, Kolë Berisha, zonja Berisha dhe djali Visari.
Delegacionin e shoqëroj Drejtori i administratës së LDK-së z. Selver Doda, ish kryetari shumëvjeçar i LDK-së dhe i Fushë Kosovës publicisti dhe shkrimtari z. Skender Zogaj, veprimtarët e LDK-së në Zvicër Ali Basha dhe Nazmi Ibrahimi.
Ndonëse nuk është më aktiv në jetën politike, z.Kolë Berisha është dhe do të mbetet përgjithmonë i pranishëm në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve kudo që janë, të cilët do ta kujtojnë dhe duan me adhurim të plotë, këtë personalitet të shquar të historisë më të re të Kosovës, burrin e urtë dhe të mençur, atdhetar i ditur dhe i paepur, demokrat i kristaltë, model i idealizmit demokratik, mik dhe bashkëpunëtor i afërt nga më besnikët i Presidentit Historik Ibrahim Rugova, qëndrestari i pathyeshëm kurndër okupatorit serbosllav dhe pionieri i krijimit të themeleve të shtetit e të pavarësisë së Kosovës.
Edhe pse jeta e stërmundimshme ia ka prekur gjendjen shëndetësore, Baca Kolë është këmbëngulës, vazhdon të punojë si në kohët më të mira, në bibliotekën e tij familjare ku, kalon ditët duke lexuar e shkruar i bindur se, detyra e shenjtë e tij është që të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë se në kohën e robërisë, i bindur se vendi dhe populli i shumëvuajtur shqiptar, edhe pse ka arritur suksese të shumta dhe të mëdha, sot më shumë se kurdoherë duhet të punojë sepse e presin edhe shumë e zhumë detyra të reja – amanete nga brezat e kaluar dhe detyrime për për brezat e ardhshëm.

Këto e shumë çka tjetër nga puna dhe veprimtaria idealiste përzemërsisht na i evokoi Baci Kolë, me rastin e vizitës në gjiun familjar. Ishte kjo një vizitë e këndshme vëllazërore, me njeriun e dashur Kolë Berisha, i cili me punën dhe verpimtarinë e tij të palodhshme ia ka siguruar vetes emrin në faqet më të ndritura të historisë se re të Kosovës.
Njëherit kryetari i Degës z. Haki Latifi në shenjë mirënjohje, nderimi dhe respekti për Kontributin e z. Kolë Berisha në dobi të forcimit të LDK-së dhe në veçanti të çështjës kombëtare, i dorëzoi një Mirënjohje e ndarë në kuadër të shënimit të 26 vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në Zvicër.
Në fund të vizitës z.Kolë Berisha u falënderua shumë për vizitën, respektin dhe Mirënjohjen, duke ruajtur kujtimet më të mira ndaj Degës së LDK-së në Zvicër dhe mërgimtarëve në veçanti.

Prishtinë, 3 Gusht 2016
Sektori për informim i Degës së LDK-së në Zvicër