Ish-presidenti i Juventusit: Ronaldo blerja më e dështuar, Nedved i paaftë për postin që mban

11.03.2021 23:37:19

Juventusi ka humbur dy finale të Ligës së Kampionëve nën drejtimin e Massimiliano Allegrit, një kundër Barcelonës dhe një kundër Real Madridit.

Vendimi për të nënshkruar me Cristiano Ronaldon u duk si një avantazh për të në këtë garë, megjithatë që nga ardhja e tij Bianconerët nuk kanë arritur të shkojnë përtej çerekfinales.

Ish-presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, beson se blerja e veteranit ishte një gabim.

“A ishte blerja e Cristiano Ronaldos një gabim? Absolutisht po”, ka thënë Cobolli në një intervistë për “Radio Punto Nuovo”.

“Është puna e Juventusit nëse do të shesë Ronaldon apo jo, por ai po kushton rreth një milion euro për një gol”.

“E thashë këtë që nga dita e parë, kam vlerësim për kampionin e madh që është, por ai është shumë i shtrenjtë”, deklaroi ish presidenti i Juventusit.

Pozita e Andrea Pirlos duket më e dobësuar te Juve pas eliminimit nga Porto, megjithëse Cobolli nuk pranoi të kritikonte trajnerin e ri.

“Juventusi duhet të rindërtojë, Nedved ishte një kampion i shkëlqyeshëm por ai nuk ka aftësinë të jetë nënkryetar i Juventusit, ai duhet të rimendojë rolin e tij”, ka thënë Cobolli.