Ish-presidentja e Argjentinës do të gjykohet për korrupsion

22.12.2018 00:06:29

Gjykata e Apelit në Argjentinë konfirmoi vendimin për të gjykuar ish-presidenten e vendit, Cristina Fernández de Kirchner për korrupsion. Gjykata madje ka kërkuar që ish kryetarja e shtetit të presë në burg seancën e parë gjyqësore.
Ish-presidentja e Argjentinës Cristina Kirchner do të gjykohet për korrupsion në kuadër të një skandali për një sistem tenderash publikë që i janë dhënë funksionarëve të lartë.

Vendimi është marrë nga një gjykatë argjentinase e cila kërkoi burgosjen e saj edhe pse për momentin Kirchner aktualisht është e mbrojtur nga imuniteti parlamentar.

Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e marrë në muajin shtator nga gjykatësi Klaudio Bonadio, i cili akuzon ish-presidenten e vendit amerikano jugor se është përgjegjëse së bashku me bashkëshortin e saj Nestor Kirshner, president në periudhën 2003 – 2007, krijuesit e një sistemi korruptiv nga i cili kanë përfituar 160 milionë dollarë. Gjykata ka urdhëruar dhe sekuestrimin e pasurisë së politikanes për vlerën e 38 milionë dollarëve.

Kirchner është senatore nga viti 2017 dhe gëzon imunitetin parlamentar. Në rast se ajo do të dënohet mund ti hiqet imuniteti nëse votojnë pro pjesa më e madhe e senatorëve.