Isufi prezanton hartën e publikuar nga Ibrahim Rugova e cila tregon kufirin me Malin e Zi

19.04.2017 13:07:34
Gjeografi Florim Isufi ka publikuar një hartë të re e cila sipas tij, tregon që brenda kufirit të Kosovës janë edhe ata 8200 hektarë, që më marrëveshjen për demarkacion tash i takojnë Malit të Zi.

Ai ka thënë se kjo hartë është sponzorizaur dhe publikuar në vitin 1997 nga president i asaj kohe Ibrahim Rugova dhe Enver Malokut udhëheqës i Qendrës për informim e Kosovës.

Postimi i plotë i tij:

Kufiri i Kosovës sipas Ibrahim Rugovës dhe Enver Malokut

Të dashur miq

Në vend të reagimeve ndaj deklaratave ku përmenden edhe emrat tonë, po ofrojmë edhe një fakt hartografik.

Kosova ka kaluar nëpër kohë shumë të vështira. Kohët më të vështira ishin pas suprimimit të autonomisë së KSA të Kosovës në vitin 1989. Edhe atëherë kishte struktura profesionale dhe politike që deklaronin se Kosova nuk humbë asgjë me ndërrime kushtetuese. Në periudhën 1989/1999 përveç problemeve të shumta politike dhe të sigurisë kishte edhe aktivitete për identifikimin dhe përcaktimin e tërësisë territoriale të Kosovës. Për një aktivitet të tillë u interesua kryetari i asaj kohe Dr. Ibrahim Rugova përmes QIK-ut (Qendra për informim e Kosovës). QIK-u udhëhiqej nga Enver Maloku. Këta të dy në vitin 1997 sponsorizuan dhe publikuan hartën e Kosovës me vijën kufitare të delimitimit të vitit 1945/46. Në këtë hartë brenda kufijve të Kosovës është edhe territori prej 8200 ha që sipas marrëveshjes së vitit 2015 do të kalojë nën kontrollin e Malit të Zi.

A do të thotë kjo, se kryetari i parë i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe udhëheqësi i QIK-ut Enver Maloku kishin gabuar kur kishin publikuar në atë kohë hartën e Kosovës me kufij tjerë nga këta të marrëveshjes së vitit 2015.