Ja ku e bazon Ambasada turke kërkesën për “arrestimin” e Berat Buzhalës

26.07.2016 21:32:44

Ambasada e Turqisë në Kosovës, e ka mbështetur kërkesën drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, duke pasur parasysh Ligjin e shtetit të Kosovës.

Ky është ligji Nr. 05/L -002, për ‘Ndalimin e bashkimit në  konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”.

Ky Ligj është  miratuar nga Kuvendi i Kosovës me 12 mars 2015 dhe i botuar në Gazetën Zyrtare me 2 prill të të njëjtit vit, raporton lajmi.net.

Neni 3 i këtij ligji flet për bashkimin apo pjesëmarrjen në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtij neni, është pika 4 e tij mbi të cilën është marrë parasysh kur është ushtruar kërkesa turke ndaj autoriteteve kosovare për arrestimin dhe dënimin e  gazetarit Buzhala.

Ambasada në këtë kërkesë nuk ka specifikuar nenin apo diçka të tillë, por ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të kenë parasysh këtë ligj.

“Kushdo që në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në paragrafët 1, 2 dhe 3 të këtij neni, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vite”, shkruan në këtë pikë të nenin 4.

Ndërkohë, pikat 1, 2,  e 3 të këtij ligji, sanksionojnë grumbullimin e mjeteve financiare për organizata të huaja, që qëllim kanë luftën në vende të huaja, organizime e mbështetje të tjera që për qëllim kanë luftën, konfliktin dhe dhunën.

Kështu, në këtë rast, në letrën e Ambasadores nuk shkruan se kërkohet dënim i gazetarit Buzhala,  por kërkohet që ndaj tij të ushtrohet padi në gjykatë dhe të dënohet sipas legjislacionit kosovar në fuqi.

Në anën tjetër, duke falënderuar për mbështetjen, gazetari Berat  Buzhala, në një postim të tij të fundit në Faceook, ka deklaruar edhe një herë se nuk e do presidentin Erdogan.

“Erdoganin nuk e du, siç tashme dihet. Për popullin turk e kam një simpati te madhe, e posaçërisht për koleget gazetare të atij shteti, qe tash janë një komunitet seriozisht i rrezikuar nga dhuna shtetërore”, shkruan Buzhala.

Duke ironizuar edhe këtë herë në fund me komentin e tij, sikurse kishte vepruar me komentin nga i cili nisi gjithë ky rast, Buzhala i kërkon presidentit turk të lirojë sa më shpejtë gjeneralët shqiptarë të arrestuar për organizimin e puçit.