Ja si reagon Edi Rama kur pyetet për Elvis Roshin. Arben Ahmetaj del nga dera e pasme

06.02.2017 19:05:09

Jashtë selisë së PS, Edi Rama edhe mund t’i ishte përgjigjur gazetarëve, sepse prej kohësh, nuk ka dhënë një prononcim për çështje të rendësishme të ditës.

Por ngacmimi që i bënë, sapo mbaroi mbledhja e grupit parlamentar të PS, nuk i pëlqeu.

“Me Elvis Rroshin do ta bëni fushatën në Kavajë, z. Rama?” ishte pyetja që i kishin rezervuar gazetarët, në përpjekje për të qartësuar diçka më shumë në qasjen e mazhorancës për dekriminalizimin e vetvetes. Rama heshti dhe nxitoi drejt makinës për t’u larguar.

Kamerave iu shmang edhe Arben Ahmetaj. Ministri i Financave doli nga dera e pasme e selisë. Disa ditë më parë, Elvis Rroshin e quante “kryetar” para dhjetëra mbështetësve kavajas. Rroshi u shkarkua nga detyra me firmën e vetë Edi Ramës, në bazë të ligjit të dekriminalizimit.