Javën e ardhshme mbahet Konferenca e Ambasadorëve të Kosovës

15.12.2016 10:48:16

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka bërë me dije të mërkurën se politika e jashtme e Kosovës duhet t’i përmbushë nevojat e brendshme të vendit.

Teksa e ka informuar kabinetin qeveritar për mbajtjen e Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës gjatë javës së ardhshme, Hoxhaj ka thënë se një prej fokuseve kryesore të politikës së jashtme duhet të jetë diplomacia ekonomike.

Ai ka thënë se kjo konferencë është rast i mirë që të diskutohen çështjet që janë në përputhje me programin e Qeverisë dhe Planin e Punës, të cilin duhet ta kemi në vitin 2017.

“Është konferenca e katërt dhe është një mundësi e mirë që kjo konferencë të jetë një platformë e përfaqësimit tonë jashtë si shtet i ri dhe i pavarur me të gjitha pritjet që i kemi. Përpjekja jonë është që të kemi qëllime të matshme në politikën e jashtme, prandaj i kam ftuar pothuajse të gjithë anëtarët e Qeverisë, ndërsa temat që ne do t’i diskutojmë janë në përputhje me programin e Qeverisë dhe Planin e Punës, të cilin duhet ta kemi në vitin 2017”, ka thënë Hoxhaj.