LSI kundër qeverisë, kërkon pezullimin e financimit për koncesionin e laboratorëve

15.12.2016 11:10:03

Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur një kërkesë që të pezullohet financimi i projektit të partneritetit publik privat për laboratorët spitalorë gjatë vitit të ardhshëm.

LSI e ka kundërshtuar edhe më herët nismën e Ministrisë së Shëndetësisë për të dhënë me koncesion laboratorët publikë në vend.

Kërkesa e nënshkruar nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili thotë se së pari, “Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar opinionin e një kompanie konsulence për fizibilitetin e projektit të laboratorëve. Kompania përkatëse është ende në proces të diskutimit të detajeve përfundimtare që lidhen me projektin, gjë të cilën ministri e ka bërë publike. Pra akoma nuk ka një përfundim të plotë dhe të detajuar të kësaj çështjeje”.

Pika e tretë e kërkesës së Vasilit sqaron se në “buxhetin e shtetit mund të miratohen për financim vetëm projekte për të cilët vlerësimi i shumanshëm i tyre dhe procedurat e miratimit zyrtar të jenë përfundimtare. Një gjë e tillë, siç duket qartë me projektin e mësipërm, nuk ka ndodhur”.

Fondi përkatës, sipas Vasilit duhet të rialokohet brenda të njëjtit program për projekte të tjera sipas vlerësimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

leter-lsileter-lsi2