Jeta prej tre minutash

01.09.2018 10:16:21
Nga Mark Simoni

Nobelisti francez Sharl Rishe thotë se njeriu, përveç 5 shqisave, ka të fshehur dhe një shqisë të gjashtë, që ndoshta fle për tërë jetën brenda ndjesive të njeriut, apo zgjohet shumë e shumë rrallë, por ama kur aktivizohet përcepton gjëra të paimagjinueshme. Ndërsa Oskar Druth shkruan se, në muzikë patjetër që ka dhe një notë të tetë, mbasi shikoj në studimet e mia, që, në disa raste nuk mjaftojnë vetëm 7 notat për të ta dhënë emocionin e plotë të asaj që po dëgjojmë.
Të dyja këto ekstrakte studimesh mu kujtuan pikërisht sot, kur po mblidhja poezitë e këtij libri, të shkruara kaherë, qysh se qeshë në gjimnaz apo student. Pata një gjendje që se kisha provuar prej kohësh, një lloj tundimi, marrakotje, malli dhe fërgëllimi shpirtror të veçantë. Provova nga ato lloj ndjesishë që në jetë i hasim mjaft rrallë. Janë pikërisht ato gjendje që të krijohen kur kthehesh pas shumë e shumë vitesh dhe troket në portën e shtëpisë së vjetër, (të prindërve që s’janë më), dhe s’është askush të ta hapë derën. Tërë trupi dhe zemra drithëron ndryshe herëve të tjera, kur merr në dorë fotot e vjetra bardh e zi, përmallohesh kur shikon koleksionin e pullave të postës që i ke mbledhur në fëmijëri, të hepohet fryma kur hap ngadalë dhe plot mall tufën e letrave që ke këmbyer me vajzën e parë që ke dashuruar atje në bankat e gjimnazit. Të përloten sytë kur gjen në shtëpinë e vjetër relike dhe sende të kaherëshme, që të kujtojnë njerëzit e tu dhe vitet që ikën. Dhe pikërisht këto sende dhe kthina të shtëpisë të sjellin në mendje ngjarje të vogla që të kanë mbushur jetën e atëherëshme. Orët e vjetra kanë mbetur, takëmet e kafes flenë, rrobat e rralla pushojnë nëpër kremastar, librat e pahapur i ka ngrënë mola dhe blloqet me vjersha kanë lagështirë, (sepse dryni i rëndë rri aty në portë prej vitesh e vitesh).
Poezitë e këtij libri i mblodha nga kutia e vjetër në qosh të bibliotekës, nga copra gazetash ku qenë botuar disa, nga blloqet me kapakë të shtrembëruar, nga fletët ku i kisha shkruar me makinën e vjetër “Oliveti” të babait tim.
Pata njëfarë përmallimi dhe ankthi njëkohësisht. Poezitë i mbajta në dorë me kujdes, ashtu siç mbahet një qiri që ke frikën se mos të të fiket nga çasti në çast, ashtu siç mbahet me pekule një vazo delikate që trembesh se mos të plasaritet nga mosha.
Megjithëse gjyshja ime nuk e dinte fare se çfarë qe antikiteti, dhe fjalën “antikuar” nuk e pati dëgjuar kurrë, ajo s’di se si, por i quante “antika” sendet e vjetra dhe që kishin një farë vlere. Ndërsa gra të moshuara të Shkodrës e përdornin si epitet vlerësues fjalën “antik”. është djal antik, (i lezetshëm, i këndshëm, i bisedave interesante).
A janë antika poezitë e mia të shkruara para 30 e pak vitesh? Nuk e di, ndaj po ua sjell juve, krejt ashtu siç kanë qenë atëherë, pa i ndryshuar fare dhe kuruar aspak, taman ashtu si në atelienë e antikuareve, ku orës së vjetër nuk i vënë zemrek të ri për ta bërë të punojë, ku shandanët prej bronzi nuk i fërkojnë me pastën e tunxhit që të vezullojnë dhe të duken më të bukur e të rinj, ku zarfet e hershme të letrave i lënë po me ato pullat e dikurshme.
Më kishte marrë malli për këto poezi. Ndaj e botova “Sa shpejt kalojnë 3 minutat”

(SHENIM Në foto unë dhe portreti im në pikturë, (në atë moshë kur i shkrova këto poezi). Libri “Sa shpejt kalojnë 3 minutat” u sponsorizua nga një kompani e madhe ndërtimesh, dhe 300 kopje nga tirazhi do t’iu dhurohen autorëve që kanë botuar libra tek MUZGU, si dhe lexuesve të mi, që me kujdesin dhe mbështetjen e tyre, entuzismuan tek unë dëshirën për të botuar poezitë e mia të moshës së rinisë. (Për ta patur librin më shkruani.)