Kadaj- Bujupi nuk komenton ultimatumin e Pacollit, thotë se me LAA-në janë në bashkëpunim

10.08.2017 12:00:58

Lëvizja Vetëvendosje thotë se  është në  bashkëpunim me koalicionin LDK-AKR-Alternativa, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të këtij koalicioni të dhëna ditëve të fundit.

Dje kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli u ka dhënë një ultimatum 10 ditësh VV-së dhe LDK-së, që të tregojnë nëse i kanë numrat për ta formuar Qeverinë, në të kundërtën ai nuk e ka përjashtuar mundësinë për një bashkëpunim me PAN-in.

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi nuk ka komentuar deklaratën e Pacollit, por ka thënë se janë në bashkëpunim me LAA-në.

“VV është në koordinim dhe bashkëpunim me LAA dhe vazhdojmë të kemi bashkëpunim. Të gjitha veprimet tona në të gjitha periudhat kohore kanë qenë në të mirë të vendit. LVV është partia më e madhe në vend dhe veprimet tona në fakt kanë marrë përgjigje më 11 qershor. Me 32 në Kuvend duhet të angazhohemi qe vullneti i sovranit të kthehet në qeverise të mirë”, ka thënë Kadaj-Bujupi, pas mbylljes së seancës konstituive të enjten, raporton lajmi.net.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është deklaruar rreth ultimatumit të Pacollit.

“Behgjet Pacolli ka shprehur vetëm një propozim të tij, por ne do të presim që PDK dhe aleatët të kryejnë detyrën e tyre në bazë të Kushtetutës, e kur ata e pranojnë dështimin se nuk i kanë numrat ne do të marrim hapa të mëtutjeshëm”, ka thënë Mustafa, të enjten pas mbledhjes së kryesisë së partisë.