Kam paralajmëruar shumë kohë më parë: Serbia dhe Rusia duan të destabilizojnë rajonin!

27.04.2017 21:56:53

Nga Rexhep Kastrati

Që kur kanë ndodhur protestat e para në Kosovë në janar 2015 pas provokimit të Jabllanoviqit kam paralajmëruar se Serbia dhe Rusia synojnë destabilizimin e rajonit për të ndryshuar kufijtë në dëm të shqiptarëve. Dhe gjatë tërë këtyre viteve e kam përsëritur vazhdimisht se angazhimet anarkiste në Kosovë, incidenti në Kumanovë, përpjekja për atetntat ndaj Milo Gjukanoviqit në Mal të Zi janë pjesë e skenarëve serbo-rusë dhe të aleatëve të tyre për të prishur paqen dhe stabilitetin në rajon duke provokuar destabilizimin e tij nëpërmjet shteteve të tilla si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, dhe nëpërmjet Kosovës Lindore.Të gjitha këto zhvillime destabilizuese në rajon kanë ndërlidhje të qartë, dhe me efekt zinxhir, sepse tashmë është e qartë se bëhet fjalë për të njëjtët aktorë dhe faktorë  të orkestruar nga agjentura kundërshqiptare. Prandaj, të gjithë ata që synuan dhe po synojnë të destabilizojnë Kosovën kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë të skenarëve serbo-rusë, ashtu siç janë pjesë të këtyre skenarëve edhe të gjithë faktorët destabilizues në Maqedoni, qofshin këta shqiptarë, apo sllavomaqedonas. Qëllimi i gjithë këtyre është që fazën përfundimtare të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë që është faza e ndryshimit të kufijve të shteteve të ndryshme të dala nga ish-Jugosllavia, ta fillojnë nga Kosova, nga Maqedonia etj., për ta vazhduar në Bosnjë.

Natyrisht votimi në Mal të Zi pro anëtarësimit në NATO, ka çuar peshë Serbinë dhe Rusinë dhe të gjithë qarqet kundëramerikane dhe kundër NATO-s, sepse është e qartë se shkëputja e këtij shteti të vogël nga konteksti gjeopolitik e gjeostrategjik serbo-rus është në kundërshtim me strategjinë fillestare për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, e që synonte që të përjashtonte Slloveninë dhe Kroacinë nga shteti federal që të krijonte një shtet tjetër federal me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, shtetin shqiptar dhe Kosovën me sovranitet të cunguar, apo me një autonomi maksimale. Dhe synohej që të imponohej paqëndueshmëria e Maqedonisë. Malit të Zi, Kosovës dhe shtetit shqiptar, dhe  të paraqitej Serbia si shtet që mban baraspeshën rajonale, si kundërvënie rritjes së ndikimit euro-atlantik nëpërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë. Dështimi i formave të kamufluara të përfshirjes së agjenturave serbo-ruse dhe të aleatëve të tyre në angazhimet për destabilizimin e rajonit nëpërmjet rekrutëve të tyre shqiptarë, duke krijuar skena dhe situata për të imponuar liderë pikërisht njerëzit e shërbimeve të tyre, pjesëtarët e strukturave mafiozo-politike dhe të inkriminuar të tjerë, ka bërë që të shfaqen hapur si forca destabilizuese në rastin e Maqedonisë.

Në fakt, njëkohësia e përfundimit të maskaradës me Ramushin, e ngjarjeve të dhunshme në Maqedoni dhe votimi në Kuvendin e Malit të Zi pro anëtarësimit në NATO, tregon pikërisht lidhshmërinë ndërmjet këtyre tri ngjarjeve, si dhe implikimin e agjenturave kundërshqiptare për rritjen e tribalizimit politik, të politikës së rrugës dhe të anagzhimeve të formave të dhunshme për rrënimin e shteteve. Farsa me arrestimin e Ramushit nuk ishte asgjë tjetër pos një përpjekje për të rritur mbështetjen për tribalizimin politik, përkatësisht rritjen e mbështetjes për format parapolitike, jashtinstitucionale dhe kundërinstitucionale në Kosovë, si mënyrë për të fituar mbështetje angazhimet për destabilizimin e saj. Prandaj, edhe rikthimi i tij në Kosovë u bë pikërisht në kohën kur në Kuvendin e Kosovës do të mbahet një seancë shumë e rëndësishme për qëndrueshmërinë e vendit, përkatësisht ku do të maten forcat properëndimore me ato kundërperëndimore dhe kur synimi i Serbisë, i Rusisë dhe i aleatëve të tyre është që të forcojë pikërisht forcat kundërperëndimore dhe destabilizuese në Kosovë.

Vakia e sotme në Maqedoni, ku pati edhe të lënduar, në fakt, është në funksion të homogjenizimit negativ, përkatësisht fuqizimit të forcave destabilizuese në rajon, rritjen e mbështetjes për politikën e rrugës dhe të politikës tribale që do të mund të çonte në destabilizimin e rajonit. Dhe ndërmjet gjithë këtyre, po synohet edhe që të imponohen liderë sipas interesave dhe vullneteve kundërshqiptare, duke bërë heroizimin, viktimizimin dhe lartësimin e persoanliteteve të veçanta që mund të kenë dosje të trasha kriminale dhe kundërshqiptare.

Kur them këtë nuk kam parasysh vetëm faktorin politik shqiptar, te të cilët është heroizuar Talat Xhaferi, jo rrallë i përfolur, dhe u viktimizua Zijadin Sela, kurse në Kosovë u viktimizua dhe u heroizua Ramush Haradinaj, por edhe faktorin politik sllavomaqedonas ku u viktimizua Zoran Zaev. A është viktimizimi i Zaev si përpjekje për ta paraqitur si proshqiptar dhe për të rritur mbështetjen për të te shqiptarët, një pjesë e të cilëve kanë votuar për partinë e tij, apo për të baraspeshuar viktimizmin e Zijadin Selës, mbetet të shihet, por ajo që duhet të thuhet dhe të jetë e qartë: ndërmjet këtyre zhvillimeve po synohen të luhen lojëra të pastra kundërshqiptare, kundërperëndimore dhe kundëramerikane.