Kanabisi, Manjani: Nëse duhet, të dalë në terren edhe ushtria

18.10.2016 12:46:09

Gjatë analizës 1-vjeçare të punës në krye të ministrisë së Drejtësisë, ministri Ylli Manjani ka folur edhe për problemin shqetësues të kultivimit të kanabisit në vend.

Duke parë përmasat që ka marrë kjo çështje, Manjani ka deklaruar se nëse është e nevojshme në terren duhet të dalë edhe ushtria për të luftuar fenomenin e kultivimit të kanabisit.

Sipas ministrit, për fat të keq ka një bindje që ky fenomen ekziston dhe për këtë duhet një reagim i fortë dhe proporcional.

“Për fat të keq, ka një bindje që është fenomen i përhapur. Po qe nevojshme për të dhënë një efekt reagues propocional do të dalë edhe ushtria. Nga ky fenomen ose ndahemi tani që sapo ka filluar, nëse ndodh më vonë do të jetë shumë e dhimbshme. Nuk është biznes që siguron mirëqenie, por varfëri. Forcat policore duhet të jenë në gatishmëri dhe duhet të luftojnë fenomenin. Nuk ka rëndësi ca thotë Italia, pasi te njerëzit ekziston ky perceptim” deklaroi ai.

Deklaratat e Manjanit, vijnë një ditë pas kreu i LSI-së dhe kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh se problemi i kanabisit është kthyer tashmë edhe në një problem ndërkombëtar.