Kapen falsifikatorët e pasaportave në Kapshticë, një prej tyre doganier: Si funksiononte rrjeti

22.01.2017 10:00:05

Policia Kufitare e Korçës dhe SHÇBA arrestuan 3 persona, njëri prej të cilëve punonjës i policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Falsifikuesit”, njoftoi Ministria e Brendshme.

Ata akuzohen për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim të dokumentave” dhe “Shpërdorim të detyrës”.

Arrestimi i tyre u krye në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në bazë të urdhrit të Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës, bazuar në një punë hetimore në bashkëpunim mes organeve ligjzbatuese.

Shtetasit e arrestuar në flagrancë janë: Marsel Miço, 38 vjeç, banues në Korçë dhe Ilia Çipi, 46 vjeç, banues në Korçë.

Mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”. SHÇBA e Korçës ka vënë në pranga punonjësin e Policisë Lefter Bardho, 47 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë kontrollor në PKK Kapshticë, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndihmuar disa persona për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, duke përdorur pasaporta shqiptare dhe serbe si dhe në bazë të ngjashmërisë fizike, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

9 pasaporta biometrike shqiptare.

1 pasaportë biometrike serbe.

4 aparate telefoni celular.

2 automjete “Mercedes benz” me targa AA748OG dhe AA361NY.

Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme dhe për zbulimin e lidhjeve të mundshme këtij grupi kriminal.