KDI: Komisionet parlamentare konkludojnë se Serbia nuk ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve të dialogut

21.12.2018 19:43:30

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI),  në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike mbajtën takimin e katërt koordinues, të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, rreth rolit monitorues dhe mbikëqyrës të Kuvendit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë takim u diskutua mbi punën që komisionet parlamentare kanë zhvilluar në funksion të monitorimit të zbatimit të marrëveshjeve që dalin nga procesi i dialogut, duke përfshirë të gjeturat, të arriturat dhe sfidat në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, të cilat janë evidentuar edhe në Raportin e Qeverisë të qershorit të këtij viti mbi këtë çështje.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, në fillim të takimit kërkoi që në planet e punës të vitit 2019, çështjes së dialogut t’i kushtohet rëndësi, duke përfshirë aktivitete të ndryshme mbikëqyrëse të këtij procesi. Ajo paraqiti një draft të marrëveshjeve të cilat duhet të monitorohen nga komisionet përkatëse, bazuar në fushë-veprimtarinë e tyre.

Sipas saj, nga vlerësimi që Komisioni për Punë të Jashtme i ka bërë Raportit të Qeverisë mbi Sfidat dhe të Arriturat në Zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit, del se Serbia nuk ka zbatuar gati dy të tretat e marrëveshjeve të arritura deri më tani, për dallim nga pala kosovare e cila ka treguar gatishmëri dhe përkushtim, duke zbatuar pothuajse të gjitha marrëveshjet.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sqaroi se KDI prej më shumë se dy vitesh ka ofruar mbështetje konstante ndaj Kuvendit të Kosovës, komisioneve dhe grupeve parlamentare, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Duke vlerësuar punën që komisionet parlamentare të Kuvendit kanë bërë gjatë vitit 2018, ajo shprehu se komisionet parlamentare mund të luajnë rol shumë më efektiv dhe proaktive në ushtrimin e funksionit mbikëqyrës në raport me procesin e dialogut.

Gjatë takimit, nga deputeti Muharrem Nitaj u ngrit edhe çështja e zhvillimeve të reja në dialogut, përkatësisht mbi Rezolutën e re të Kuvendit të Kosovës mbi fazën finale të dialogut, e cila parasheh ndër të tjerash, krijimin e Komisioni për mbikëqyrjen e dialogut duke shtuar se mbetet të shihet edhe vet e ardhmja e marrëveshjeve tashmë të arritura në kuadër të këtij procesi. Në anën tjetër, deputeti Driton Selmanaj kritikoi këtë qasje, duke e vlerësuar si kundërligjore, meqenëse rezoluta e re tenton që të përjashtojë aktivitetin mbikëqyrës të komisioneve parlamentare, të cilat janë të parapara në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.

Në vijim, kryetaret dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, raportuan mbi aktivitetet mbikëqyrëse që komisionet përkatëse kanë ndërmarrë që nga takimi i fundit koordinues, lidhur me procesin e dialogut. Disa nga marrëveshjet për të cilat u raportua nga komisionet parlamentare ishin Marrëveshje për Drejtësi, Marrëveshja për Energji, Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Marrëveshja për Revitalizimin  e Urës mbi lumin Ibër, Marrëveshjen për Energjinë, Marrëveshjen për Telekomunikacion, Marrëveshjen për Fondin Zhvillimor për Veriun, Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë, Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), Marrëveshjen për Vulat Doganore, Marrëveshjen për Produkte Farmaceutike, Marrëveshjen për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, Marrëveshjen për Njohjen e Diplomave, Marrëveshjen për Regjistrat Kadastral dhe Civil, dhe marrëveshjet tjera.

Të gjitha komisionet evidentuan sfida të shumta në zbatimin e marrëveshjeve të caktuara, kryesisht për shkak të obstruksioneve dhe mos gatishmërisë për zbatim nga ana e Serbisë. U deklarua që një nga marrëveshjet e cila po zbatohet në nivele të kënaqshme është ajo për produktet dhe pajisjet farmaceutike, në kuadër të së cilës janë regjistruar 123 produkte farmaceutike serbe, të cilat kanë pranuar ligjet në fuqi të Kosovës.

Gjatë diskutimeve u përmend edhe çështja e anëtarësimit të KOSTT-it në ENTSO-E, për të cilën u tha se është dështuar qëllimisht nga pala kosovare, duke qenë se marrëveshja e propozuar nga ENTSO-E parashihte vendosjen e kufirit energjetik të Kosovës tek Liqeni i Ujmanit, duke e lënë këtë të fundit nën menaxhimin dhe kontrollin energjetik të shtetit të Serbisë.

Kryetaret dhe kryetarët e komisioneve parlamentare u pajtuan që komisionet të paraqesin raport me shkrim lidhur me monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të caktuara nga procesi i dialogut, dhe të njëjtat të diskutohen në këtë format të takimit. Po ashtu, komisionet parlamentare u dakorduan që të kërkojnë raporte me shkrim nga institucionet dhe agjencitë e tjera që janë përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa të njëjtat të bëhen pjesë e në raportit përmbledhës të këtij takimi, me qëllim rritjen e koordinimit në mes komisioneve parlamentare mbi monitorimin e procesit të dialogut.

Në këtë takim u artikuluar gjithashtu nevoja për kujdes të shtuar, sidomos në integrimin e personave me të kaluar kriminale në sistemin e drejtësisë dhe Policinë e Kosovës, për shkak të dyshimeve  se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në krime të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Komisionet parlamentare u pajtuan që gjatë vitit të ardhshëm, në varësi të zhvillimeve të reja në kuadër të procesit të dialogut, të vazhdojnë bashkëpunimin në mes të tyre, duke mbajtur qoftë edhe takime të përbashkëta, gjatë rasteve kur diskutohen çështje të cilat ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi.

Takimet në mes të komisioneve parlamentare synojnë të ofrojë një platformë diskutimi, bashkërendimi dhe dakordësimi në mes të komisioneve rreth rolit të tyre në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, bashkëpunimit të ndërsjellë në monitorimin, mbikëqyrjen, pjesëmarrjen dhe avancimin e transparencës së këtij procesi, duke u bazuar në rezolutat e Kuvendit të Kosovës.

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë, dhe Memorandumit të Mirëkuptimit me Kuvendin e Kosovës.