Kerry: Rusia dhe Siria duhet të hetohen për krime lufte

07.10.2016 23:02:14

Qeveria e Rusisë dhe ajo e Sirisë duhet të hetohen për krime lufte, tha Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

“Rusia dhe regjimi i kanë botës borxh më shumë se një shpjegim se pse bombardojnë spitalet, objektet mjekësore dhe fëmijët”, tha Kerry.

Sipas tij, këto janë akte që kërkojnë hetime të duhura për krime lufte.

Moska ka mohuar vazhdimisht se sulmon civilët dhe ka thënë se shënjestra të saj janë grupet terroriste në Siri.

Kerry, megjithatë, ka thënë se sulmet e ushtrisë ruse dhe siriane në spitale janë përtej “aksidenteve”, por pjesë e një strategjie të qëllimshme në Siri.

“Kjo është strategji për të terrorizuar civilët dhe për të vrarë secilin që u del në rrugën e objektivave të tyre ushtarake”, ka thënë Kerry.