Këshilli Opozitar përmbyll aktivitetet e tij

17.10.2016 18:43:21

Këshilli Opozitar në një komunikatë lëshuar për Telegrafi Maqedoni njofton përmbylljen e aktiviteve.

‘Këshilli Opozitar kishte mision të qartë, që shkonte përtej bashkimit të elitave partiake – ai synonte t’i bashkojë të gjitha forcat që do ta luftojnë dyshen e ligë BDI-PDSH.

Pra, Këshilli Opozitar kurrë nuk ka vlerësuar se opozitarizmi fillon e mbaron te selitë e partive të sapoformuara ose të atyre që janë të dala nga nënat parti, që kaq vite e morën në qafë këtë popull.

Me plot mburrje mund të themi se këtë mision Këshilli Opozitar e realizoi në mënyrën më të mirë, për çka dëshmoi edhe protesta madhështore e 9 majit në Shkup.

Dhe, meqë ne si Këshill Opozitar nuk e kuptojmë bashkimin e forcave si bashkëveprim mes elitave partiake që kanë synim vetëm ardhjen në poste shtetërore, do të vazhdojmë me idealin që ta bashkojmë popullin, e jo politikanët, por tani këtë do ta bëjmë me forma të tjera, që nuk nënkuptojnë ndërhyrje në veprimtarinë e partive politike.

Andaj i’a bëjmë me dije opinionit publik se veprimtaria e mëtejme e anëtareve të këtij Këshillit Opozitar nuk e përfaqëson këtë këshill dhe tash e tutje secili është i lirë të veprojë ashtu si e sheh më të përshtatshme për vetveten dhe për shoqërinë shqiptare’, thonë nga Këshilli.