Kirurgët plastik në QKUK heqin tumorin në fytyrë me dimension mbi 30 centimetra

15.02.2018 14:05:57

Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është bërë për herë të parë një operacion specifik, ku pacientit C.B (82 vjeç) i është bërë heqja e tumorit me dimension 30 x 20 centimetra.

Operacioni ka zgjatur mbi 5 orë, pacientit i është bërë largimi kirurgjik i masës se madhe tumorale në tërësi, në mënyrë radikale, ku për shkak të zbulimit të strukturave vitale anatomike te kokës dhe qafës është bërë mbulimi me muskulin e madh të gjoksit të anës së majtë të kombinuar me graft (transplant) të lirë lëkuror, nga vetë pacienti.

Është bërë rregullimi i këndit të majtë të gojës me shtrënguese të lirë të marrë nga dora e djathtë ( PL).

“Pacienti një natë ka qëndruar në mjekimin intensiv, mbikëqyrur nga stafi shëndetësor i mjekimit intensiv qendror. Gjendja momentale e pacientit është e mirë dhe stabile, ai ndodhet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe pritet që gjatë ditëve në vijim të lëshohet për në shtëpi”, thuhet në njoftim.

Ekipi mjekësor është udhëhequr nga Dr. Ylber Zenjullahu, dr. Shkelqim Dërguti, mbështetur nga ekipi i anestezionit me dr. Mentor Alimusa,dr. Ingerta Sahiti- Krasniqi dhe stafi i specializantëve dhe anestezisteve dhe instrumentareve.