KMDLNJ për dënimin e vrasësve të Enver Hadrit: Drejtësi e vonuar por me gjithëatë është dreltësi!

24.11.2016 12:58:48

Vrasja e aktivistit për çështje kombëtare dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Enver Hadrit në Belgjikë, për një kohë të gjatë mbeti e pazbuluar shkaku se ishte krim i organizuar mirë nga Sigurimi shtetëror jugosllav dhe ai serb, vlerëson KMDLNJ.

Dhe sipas KMDLNj-së nuk kishte pista të hetimit që do të identifikonin kryerësit e këtij krimi të cilët u ekzekutuan nga sigurimi i shtetit jugosllav dhe serb shkaku se filluan të flasin publikisht që e kishin kryer krimin apo e kishin ndihmuar këtë krimit u krijua mundësia që shteti belg të mirret më seriozisht me krimin i cili ishte krim ekskluzivisht i motivuar politikisht dhe vazhdim i vrasjeve të aktivistëve politikë dhe kombëtarë shqiptarë dhe kroat në shtetet e ndryshme europiane, të Amerikës Latine, në SHBA, Australi dhe Kanada.

Enver Hadri ishte edhe aktivist i KMDLNj –së sepse, së  bashku me Reshat dhe Behare Sahitaj përkujdeseshin për shpërndarjen e informatave dhe raporteve të KMDLNj – së në adresat e duhura për sensibilizimin e qendrave të vendosjes për dhunën që regjimi jugosllav dhe serb po ushtronin mbi shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera që kërkonin liri, drejtësi dhe barazi. Këta e përgatitën terrenin dhe lobuan që kryetari i KMDLNj –së, Adem Demaçi ta fitojë çmimin Saharov.

Dënimi me burgim të përjetshëm për ata që e përgatitën, e planifikuan dhe e kryen krimin ndaj Enver Hadrit në Bruksel mund të jetë drejtësi e vonuar por është drejtësi dhe porosi për të gjithë ata që planifikojnë të kryejnë krime të tilla se nuk do të mbesin të pa dënuar, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

Për KMDLNj – në, familjen Hadri që asnjëherë nuk u ndal së kërkuari drejtësi për bashkëshortin dhe babain e tyre, për Kosovën, opinionin ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm shqiptimi i këtij dënimi shkaku se u vërtetua se prapa këtij krimi qëndron shteti jugosllav dhe ai i  Serbisë, se ka qenë vrasje politike dhe se krimi herët a vonë ndëshkohet.

Mos ekzekutimi i këtij vendimi të Gjykatës Mbretërore të Belgjikës mund të shtyhet për një kohë për shkak se regjimi serb nuk është i gatshëm t’i ekstradojë në Belgjikë mirëpo Belgjika, si shtet i rëndësishëm i BE – së ka mundësi ta detyrojë Serbinë që këta kriminelë të dënuar t’ua dorëzojë autoriteteve belge sikur që Kroacia, pas shumë viteve të kundërshtimit u detyrua t’i dorëzojë autoriteteve gjermane ish krerët e Shërbimit Informativ dhe Kundërinformativ të Jugosllavisë, Zdravko Mustaq dhe Perkoviqin, tani shtetas të Kroacisë që ishin përgjegjës për vrasjen e aktivistëve politikë kroat në Gjermani përkatësisht për ekzekutimin e Stjepan Gjurekoviq, ish drejtor i INA – s. Ata nga gjykata gjermane u dënuan me dënime të larta ndonëse ishin në moshë të shtyer.

KMDLNj shpreson dhe pret që gjykimet e tilla që po ndodhin në shtetet perëndimore për përgjegjësinë e autoriteteve politike jugosllave dhe serbe në eliminimin e kundërshtarëve politikë përmes kriminelëve të ndihmuar nga Sigurimi i shtetit, do të ndihmojnë edhe në zbardhjen e vrasjeve të natyrës politike , para dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Vullneti politik i munguar deri më tani, mund të ndihmojë në zbardhjen e rasteve ndërsa Shërbimet zbuluese dhe kundërzbuluese që kanë ekzekutuar kërkesën e politikanëve për eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë mund të ofrojnë fakte të mjaftueshme.

Të shpresojmë se ndriçimi i rastit të vrasjes politike të Enver Hadrit, aktivistit kombëtarë, politikë dhe i të drejtave të njeriut nuk do të mbetet rast i izoluar.