Kneissl uron gabimisht Kosovën për bërjen e ushtrisë

26.03.2018 16:41:00

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, ka uruar gabimisht kosovarët për themelimin e ushtrisë. Në një konferencë për media, pas takimit me homologun e saj kosovar, Behgjet Pacolli, Kneissl (pas urimit për ratifikimin e demarkacionit), ka vazhduar edhe me “transformimin” e FSK-së në FAK. Mirëpo, pasi është njoftuar se një gjë e tillë ende nuk është finalizuar, ajo e ka ndërprerë fjalën duke thënë se “foli shumë”, raporton “Zeri.info.

“Unë uroj edhe për shndërrimin e FSK-së… Kjo s’qenka bërë. Fillova të flas më shumë se që është bërë..”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, menjëherë pas kësaj, ministrja e Austrisë foli për procesin e integrimit, me ç’rast tha se Austria mund ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim.

“Ne përshëndesim dinamikën e re që është krijuar në Bruksel, ju kemi parë kur jeni bërë aktiv në rajon dhe Austria ju mbështetë dhe komisioni evropian ju mbështetë. Mirëpo, secili shtet sipas meritave të veta vlerësohet, ne ju mbështesim aty ku mundemi”, ka theksuar ajo.