Sllovakia mbështet Kosovën

26.03.2018 16:25:48

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, Lubomir Batary, konfirmoi gatishmërinë e shtetit të tij për mbështetjen e Kosovës në shumë fusha, duke qenë se Sllovakia e konsideron Kosovën si vend mik.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi që pati me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha, me të cilin bisedoi për aktualitetin politik dhe të sigurisë në rajon, dhe për angazhimin e dy institucioneve të të dyja vendeve për bashkëpunimin me interes.

Ministri Berisha në pika të shkurtra shpalosi ecurinë e aktiviteteve rreth transformimit të FSK-së, duke ripërsëritur faktin se transformimi do të jetë transparent, i koordinuar dhe do të bëhet me konsensus të plotë të faktorit të brendshëm politik.

Ndërsa, zyrtari sllovak shprehu gatishmërinë për identifikimin e fushave të bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë.

“Qëllimi ynë është fleksibil dhe pragmatik, që të ndihmojmë Kosovën që të mos mbetet prapa’’, tha Batary.