Koalicioni LAA nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie ku do të jetë edhe PDK-ja

12.06.2017 16:04:38

Janë takuar sot partnerët e koalicionit LDK-AKR-A dhe kanë diskutuar për zgjedhjet, thuhet në një njoftim të Zyrës për Informim të LDK-së.

Në këtë takim, partenrët e këtij kolicioni kanë vlerësuar zgjedhjet, mbarëvajtjen dhe kanë falenderuar votuesit për votat që i kanë dhënë këtij koalicioni.

Po ashtu, është shprehur një unitet i këtij koalicioni edhe sa i përket vazhdimësisë dhe refuzimit të çdo përfshirjeje të tij në çfarëdo Qeverie ku do të jetë edhe PDK-ja.

Ky është njoftimi i plotë i Zyrës për Informim e LDK-së:

Pas zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë e vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor.
Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi.

Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja.
LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet. Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion.

Zyra për Informim e LDK-së