Në Shqipëri : Koalicioni me LSI, Rama: Kjo varet nga vota e shqiptarëve

06.06.2017 00:44:26

Kryeministri Edi Rama ka preferuar që intervistën në “Top Story”, me Sokol Ballën, ta spostojë në qytetin e Beratit. Shefi i qeverisë iu është përgjigjur pyetjeve të shumta që i janë drejtuar në lidhje me situatën politike dhe fushatën zgjedhore. Rama foli edhe për partitë e vogla, sipas të cilit ato janë janë forca që e kalbëzojnë sistemin dhe përfitojnë për tu rritur në mënyrë të dhunshme e artificiale, në këmbim të vendeve të punës.

Pyetjes nëse do të bëjë koalicion me LSI-në, pas zgjedhjeve, Rama tha se kjo varet nga shqiptarët. “Me votën e tyre shqiptarët do të vendosin nëse do të na lejojnë që të drejtojmë vendin të vetëm, apo duan që ta shpërndajnë përgjegjësinë.

Ne duam që të drejtojmë të vetëm, për të treguar se dimë të bëjmë shtet. Nuk e duam pushtetin për vete, se po ta donim nuk do luftonim që ta fusnim Partinë Demokratike në zgjedhje. Merrnim ato 130 deputetë apo ku ta di unë dhe qeverisnim sipas qejfit, por nuk është kështu”, tha kreu i Partisë Socialiste.

Ndërkohë, Rama nuk mbeti pa folur edhe për koalicioni me LSI-në, duke thënë se ka qenë i bindur për të bashkëqeverisur dhe se kanë bërë reforma të rëndësishme.

“Kemi patur një koalicion shumë të dobishëm për vendin, në një fazë kur duheshin reforma që kërkonin fuqi dhe vendosmëri e që nuk duheshin përdorur nga lodrat e numrave. Kam qenë i bindur që duhej ndërtuar një partneritet strategjik afatgjatë. Të gjitha përpjekjet e mia për të mbyllur formulën e koalicionit në kohë nuk ishin të suksesshme. LSI pati një qasje taktike dhe jo strategjike ndaj koalicionit, duke pritur momentin e fundit. Në momentin  e fundit gjërat erdhën ashtu si erdhën dhe jemi këtu për të matur forcat. Unë u them shqiptarëve që të më ndihmojnë me një mandat të plotë për të bërë shumëfishin e asaj që kemi bërë deri më tani. Faza e dytë kërkon disa qasje radikale, sidomos në raport me përmbajtjen e administratës shtetërore, që është e molepsur nga interesat e partive që e kanë penguar që të jetë korrekte, dinjitoze dhe që u shërben qytetarëve”, tha Rama.

Futjen e Spartak Brahos në listat e Partisë Socialiste, Rama e komentoi si një urë lidhëse me LSI-në.  “

“Spartak Braho ka qenë dhe do të mbetet një urë mes PS dhe LSI sepse gjithmonë ka hyrë në Parlament me Partinë Socialiste”, komentoi ai.

Në lidhje me batutën e Ilir Metës që tha paraditen e sotme nga Puka se nuk tremb nga Berisha, jo më nga presionet e Tom dhe Jerry, referuar këtu Ramës dhe Bashës, Kryeministri tha se i pranon batutat.

“Unë jam një person që i përdor shpesh batuat dhe jam i hapur ndaj tyre. Gjithsesi  një Presidenti të zgjedhur nuk i shkon që të merret me batuta të tilla një Presidenti të zgjedhur. Gjithsesi unë jam i hapur për batuta”, tha Rama. Në lidhje me fushatën që Meta po bën, Rama tha se kjo është një çështje për tu diskutuar. “Ai ende nuk e ka marrë postin e Presidentit dhe mendon që duhet të bëjë fushatë. Kjo është një zgjedhje e tij. Unë për vete nuk do ta bëj” vijoi shefi i qeverisë.