Komisioni i Venedikut i përgjigjet Kurtit për dekretin e Thaçit

05.05.2020 22:07:30

Komisioni i Venedikut sot i është përgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me kërkesën për opinion në raport me kompetencat e Presidentit.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se ky Komision ka vlerësuar që të pritet dhe të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme deri më 29 maj, duke e pezulluar veprimin e Dekretit të Presidentit, dhe meqë Gjykata po e trajton këtë çështje, Komisioni ka vlerësuar që të respektojë vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi veçse ka vepruar”, njofton Zyra e Kryeministrit.

 

 

ZKM-ja tutje ka theksuar se e mirëpresin sugjerimin e Komisionit për të respektuar e pritur shqyrtimin e kërkesës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Pas trajtimit nëse shihet nevoja për sqarime shtesë dhe ndihmë për opinion nga Komisioni, do të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, thuhet në njoftim.

Qeveria shton se kjo kërkesë u dërgua në Komisionin e Venedikut pasi që u publikua dekreti i presidentit dhe para vendimit për vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për mandatarin për formimin e Qeverisë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte dërguar një kërkesë në adresë të Komisionit të Venedikut për të kërkuar opinion mbi kompetencat e Presidentit në lidhje me propozimin e mandatarit të Qeverisë, pas kalimit të një mocioni të suksesshëm të mosbesimit në Kuvend.

 

 

Kërkesa e kryeministrit në detyrë gjithashtu kërkonte nga Komisioni i Venediku sqarim mbi  kompetencat e Presidentit të vendit mbi shpërndarjen e Parlamentit.

Me 1 maj,Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm.

Sipas Kushtetueses, vendimi për masën e përkohshme është deri më 29 maj 2020.