Mbretëria e Bashkuar kalon edhe Italinë për kah numri i vdekjeve lidhur me koronavirusin

05.05.2020 21:58:59

Mbretëria e Bashkuar është bërë shteti me numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Evropë, pasi kjo shifër u rrit në 29.427.

Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, njoftoi se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 693 persona.

Me këtë, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar numër më të lartë të vdekjeve se Italia, e cila për një kohë të gjatë ishte epiqendra e përhapjes së koronavirusit në Evropë.

Në Itali, sipas të dhënave të fundit, nga COVID-19 kanë vdekur gjithsej 29.315 pacientë, shkruan AnadolyAgency.

Sipas numrit të viktimave nga koronavirusi, Mbretëria e Bashkuar tani është shteti i dytë në botë pas SHBA-së.

Numri i të infektuarve me COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 194.990, me 4.406 raste të reja.

Në vend janë bërë gjithsej 1.383.842 teste, prej të cilave 84.806 në 24 orët e fundit.

Sekretari Raab tha se lufta kundër pandemisë nuk do të jetë e lehtë në periudhën e ardhshme.

Vendi më 23 mars kufizoi daljen e qytetarëve në rrugë dhe mbylli bizneset, me përjashtim të marketeve dhe farmacive. Pas 16 prillit, masat u zgjatën për tre javë të tjera, ndërsa më 7 maj, qeveria pritet të rishikojë kufizimet dhe të publikojë një udhërrëfyes për të normalizuar vendin.