Pallaska: Komisioni i Venedikut e kuptoi se Qeveria në ikje po e keqpërdorte për të ndërhyrë në punën e Kushtetueses

05.05.2020 21:09:25

Avokati Dastid Pallaska, përmes një shkrimi në Facebook, thotë se Komisioni i Venedikut në letrën që ia ktheu Kurtit, i tregoi se ‘nuk ndërhynë në Gjykatën Kushtetuese’.

“Me fjalë të tjera, Komisioni i Venedikut e ka kuptuar se qëllimi kryesor dhe i vetëm i Qeverisë në ikje ishte që ta keqpërdorë Komisionin e Venedikut për të ndërhyrë në punën e Gjykatës Kushtetuese.”, tha Pallaska.

Ja shkrimi i plotë:

Siç edhe pritet nga një organizatë ndërkombëtare që respekton sundimin e ligjit dhe demokracinë, përgjigja e Komisionit të Venedikut ndaj kërkesës së Qeverisë në ikje është jashtëzakonisht e qartë.

E para, i bënë me dije Qeverisë në ikje se kërkesa është refuzuar në mënyrë UNANIME për shkak se nuk ka të bëjë me vlerësim të standardeve ndërkombëtare por me vlerësim të kushtetutshmërisë së një dekreti presidencial që është në kompetencë ekskluzive të Gjykatës Kushtetuese.

E dyta, e qorton Qeverinë në ikje për përpjekjen për të përfshirë Komisionin e Venedikut në një çështje që është paraqitur para Gjykatës Kushtetuese, me vërejtjen se përfshirja e Komisionit të Venedikut në këtë çështje do të CENONTE autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

E treta, shprehë BESIMIN e plotë të Komisionit të Vendikut se Gjykata Kushtetuese do të ofrojë zgjidhje të kënaqëshme në lidhje më çështjen e ngritur.

Me fjalë të tjera, Komisioni i Venedikut e ka kuptuar se qëllimi kryesor dhe i vetëm i Qeverisë në ikje ishte që ta keqpërdorë Komisionin e Venedikut për të ndërhyrë në punën e Gjykatës Kushtetuese.

Siç shihet fare e qartë, përshkrimi i përgjigjes së Komisionit të Venedikut në komunikatën për shtyp të Kryeministrit në ikje është tërësisht i pasaktë.