Komuna e Mitrovicës merr vendim, “Kodra e Cërrnushës” kthehet në bazë ushtarake të FSK-së

26.03.2021 13:55:25

Kuvendi Komunal i Mitrovicës sot ka marrë vendim që një prej kodrave më të larta në Mitrovicë, ‘Kodra e Cërrnushës’, e cila ka pamje mbi 4 komuna dhe dhjetëra fshatra në këtë rajon do t’i  jepet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë kodër, Kuvendi komunal ka marr vendim që tu jepen pesë parcela në të cilat do të ndërtohen objekte për regjimentin e tretë të FSK-së, për ndërtimin e një baze të përhershme të FSK-së

Qëllimi i propozimit për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale është ndërtimi i objekteve për regjimentin e tretë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me çka do të krijoheshin kushte, për ndërtimin e një Baze të përhershme të FSK-së, e cila do të shërbente si në aspektin e interesit shtetëror të zbatimit të politikave strategjike mbrojtëse, po ashtu edhe në ofrimin e mundësive trajnuese për rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së. Shfrytëzimi i pronës do të jetë në kohëzgjatje prej 99 vitesh dhe ky shfrytëzim propozohet që të jetë pa kompensim të FSK-së”.

Po  në këtë seancë të Kuvendit Komunal kanë mbajtur fjalim përfaqësues të FSK-së, si dhe zëvendësministri i FSK-së, Enver Dugolli, zëvendës Komandanti i Regjimentit tretë, Ilir Beqiri dhe nënkolonel Afrim Veseli.

Ndryshe,  Kodra e Cërrnushës është  e lartë 1010 metra, dhe nga aty shihet si në pëllëmbë të dorës qyteti i Vushtrrisë, qyteti i Mitrovicës, qyteti i Mitrovicës së Veriut, Zveçani si dhe një pjesë e Zubin Potokut.