Komunat që kufizohen me Malin e Zi nuk kanë asnjë ndryshim të territorit

05.03.2017 20:16:21

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet një postimi në Facebook informon qytetarët e Kosovës se komunat në kufi me Malin e Zi nuk kanë humbur asnjë metër tokë.

Gjithashtu është sqaruar edhe problemi i tokave të Kosovës që më parë i ka menaxhuar Agjencioni pyjor i Rozhajës.

Postimi i plotë i Kryeministrit:

“Komisioni i Ekspertëve konstatoi se Kosova ka 10.905,25 km katrorë. Konstatoi, po ashtu, se Kosova nuk ka humbur asnjë metër tokë në shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Komisioni i Ekspertëve, sqaroi edhe pronat të cilat më parë i kishte menaxhuar Agjencioni i Pyjeve i Kosovës, e të cilat gjenden në Mal të Zi, si dhe pronat që ka menaxhuar Agjensioni pyjor i Rozhajës (i Malit të Zi) të cilat i përkasin territorit të Kosovës. Peja, Deçani, Juniku dhe Istogu, të cilat kufizohen me Malin e Zi nuk kanë asnjë ndryshim të territorit. Kosova nuk ka territor i cili nuk i takon një komune. Edhe me Kushtetutën e vitit 1974 rregullohej se territorin e Kosovës e përbëjnë territoret e komunave. Prandaj, opozita dhe ekspertët, që e quajnë veten të pavarur, duhet të tregojnë se e kujt është toka e hubmur sipas tyre prej 8,200 hektarëve, nëse komunat Pejë, Deçan, Junik dhe Istog thonë se tokën me të cilën ata kanë menaxhuar përpara e kanë në librat e tyre në tërësi. Nuk ka asnjë kuptim që të vazhdohet me kundërshtime të pabazuara, por duhet të gjejmë forcë për ta ratifikuar kufirin, sepse kufi tjetër nuk ka. Mund t’i dëmtojmë qytetarët tanë, t’i mbajmë të izoluar, por sipërfaqe më të madhe se 10.908 km katrorë Kosova nuk ka pasur asnjëherë. U konstatua se për 2,75 km katrorë është korrigjuar territori me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë dhe se tani Kosova ka 10.905,25 km katrorë. IM”