Vetëvendosje dyshon në seriozitetin e Thaçit për Ushtrinë

05.03.2017 20:20:17

Lëvizja Vetëvendosje dyshon në seriozitetin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi për të formuar Ushtrinë përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në.

Deputeti i Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka thënë për lajmi.net se janë mësuar me iniciativat e Thaçit, megjithatë sipas Kurteshit Kosova ka nevojë për Ushtri dhe se të gjithë duhet të bëhen bashkë për ta formuar atë.

“Jemi mësuar me këto iniciativat e presidentit dhe nuk di sa janë serioze, por si do që të jetë Kosova ka nevojë për ushtri dhe mendoj që në Kosovë duhet të bëhemi të gjithë bashkë pavarësisht dallimeve që i kemi dhe ta bëjmë ushtrinë. Të gjithë duhet të angazhohemi seriozisht e jo vetëm me fjalë, sepse ushtria i duhet secilit shtet e sidomos në Ballkan, aq më tepër në këtë kohë kur vendet për rreth po shpenzojnë shumë për armatim dhe Serbia edhe më shumë po i shpreh apetitet hegjemoniste”, ka deklaruar Kurteshi.

Më tej, ai ka thënë se askush nuk mund ta bëjë Ushtrinë i vetë, por këtë sipas tij mund ta bëjnë subjektet politike shqiptare nëse bashkohen. Në fund Kurteshi e ka fajësuar presidentin Thaçi për mosbërjen e ushtrisë deri më tani.