Konferenca e Sigurisë në Munih heq dilemat për politikën dhe sigurinë botërore

17.02.2017 14:27:24

Munihu i Gjermanisë këto ditë do të jetë qendër e vendimmarrësve më të rëndësishëm botërorë në fushën e politikës ndërkombëtare të sigurisë.

Presidenca njoftoi më herët që për në Munih ka udhëtuar edhe presidenti Thaçi, por në mesin e pjesëmarrësve në këtë konferencë, sipas agjendës zyrtare, do të jenë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe mbi 30 krerë shtetesh e qeverish dhe më shumë se 80 ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes.

Aty do të jetë edhe një delegacion i madh i Kongresit amerikan. Konferenca e Sigurisë në Munih është shndërruar në një tubim të rëndësishëm për komunitetin strategjik ndërkombëtar. Që nga themelimi i saj më 1963 nën emrin “Internationale Wehrkunde-Begegnung”, ajo ka qenë një forum i pavarur që i kushtohet promovimit të zgjidhjeve paqësore të konflikteve, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut.

Përveç konferencës vjetore kryesore në shkurt, Konferenca e Sigurisë në Munih mblidhet rregullisht në ngjarje të tjera të profilit të lartë në kryeqytetet e gjithë botës. Këtë konferencë sivjet do ta drejtojë ambasadori Wolfgang Ischinger, i cili ka qenë drejtpërdrejtë i përfshirë në bisedimet për statusin e Kosovës. Për krizat aktuale dhe sfidat e ardhshme të sigurisë ndërkombëtare aty do të debatojnë rreth 500 liderë.

Agjenda e kësaj konference në këtë vit përqendrohet në të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike dhe NATO-s pas ardhjes së krye të SHBA-së, Donald Trump, në gjendjen e bashkëpunimit evropian për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, në marrëdhëniet me Rusinë dhe luftën në Siri, në gjendjen e sigurisë në Azi-Paqësor dhe në luftën kundër dezinformatave.

Konferenca e Sigurisë në Munih hapet sot më 17 shkurt dhe do të zgjas deri në dielën më 19 shkurt 2017.