Konfiskohen rreth 1600 kg mish i prishur në Pejë

22.02.2019 19:59:23

Prokuroria në bashkëpunim me Policinë në Pejë, kanë arritur të konfiskojnë mbi 1 mijë e 600 kilogramë mish të prishur në këtë komunë.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate për media nga Prokuroria Themelore e Pejës.

“Prokuroria Themelore e Pejës njofton se sot  (22.02.2019) në kuadër të planit për luftimin e shitjes se produkteve të dëmshme ushqimore, me kërkesë të kësaj prokurorie  dhe koordnimit me Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Pejë,  janë bastisur  6 (gjashtë) lokacione të cilat dyshohet se merren me këtë lloj veprimtarie.  Gjatë kësaj bastisja në të cilën kanë marrë pjesë edhe zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, janë sekustruar dhe shkatërruar rreth 1,600 kg mish, për të cilat palët nuk posedonin leje përkatëse dhe nuk i plotësonin kushtet adekuate higjienike”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu Prokuroria është zotuar se do të vazhdojë luftën e kriminalitet, dhe ndalimin e veprimtarive ilegale.

“Prokuroria Themelore në Pejë është e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe kërkon nga të gjithë ata që kanë informacione për ushtrimin e veprimtarive ilegale t’i paraqesin në organet e hetuesisë”, përfundon njoftimi.