Koreja e Veriut ishte në “panik” për 48 orë, për të përgatitur ngjarjen që dëshmoi se Kim Jong-un është gjallë

07.05.2020 23:32:39

Koreja e Veriut raportohet se është gjendur në një panik rreth 48 orë, për të përgatitur ngjarjen që dëshmoi që Kim Jong-un ishte gjallë, sepse prej ditësh aludohej se ai mund të kishin ndërruar jetë.

Zyrtarët në Pyongyang, thuhet se kanë përgatitur gjithçka në kohë rekord, në mënyrë që diktatori të inaugurojë hapjen e fabrikës së plehrave, megjithëse spekulohet se është ende e papërfunduar dhe jashtë funksionit, shkruan The Sun.

Kim Jong-un u zhduk për më shumë se 20 ditë – duke nxitur thashethemet se ai ishte i sëmurë, apo edhe i vdekur – para se të rishfaqej në fillim të majit, transmeton Telegrafi.

Megjithatë mediat e huaja publikuan pamje që ai mori pjesë në inagurim, por kjo gjë ende nuk është e verifikueshme, sepse Koreja e Veriut është një vend shumë i fshehtë, dhe vështirë se mund të dihet saktësisht çfarë mund të ketë ndodhur brenda kufijve të saj.

Tani kanë dalë raporte që kjo ngjarje ishte në të vërtetë në mënyrë misterioze dhe befas e rregulluar vetëm dy ditë para se të ndodhte – dhe askush nuk e dinte që Kim do të ishte atje, raporton Daily NK.

Koreja e Veriut është shumë e fshehtë, dhe është shumë e vështirë të dihet saktësisht se çfarë ndodh brenda kufijve të saj pa konfirmim të qartë nga regjimi.

Punëtorëve në fabrikën e Sunchon u është thënë që të përgatiten për një “ceremoni përfundimi” – edhe pse uzina nuk ishte askund afër përfundimit.

The Sun shkruan se gra, burra e fëmijë u mobilizuan për të mbjellë lule, pastruar rrugët dhe rregulluar ambientin përreth fabrikës.

Punëtorët e ndërtimit thuhet se kanë punuar ditë e natë, për të përmirësuar pamjen strukturore të saj.

Megjithatë fabrika dyshohet se është vetëm një fasadë për të “fshehur të vërtetën”. Sepse fabrika sipas tyre është e papërfunduar dhe i mungojnë makineritë për të ricikluar lëndët e importuara.

“Askush në vend nuk e priste që ngjarja të përfshinte vetë Kim Jong-un. Të gjithë e dinim që ndërtimi i fabrikës nuk ka përfunduar”, u shpreh një burim.

Ndërkaq, edhe pse Koreja e Jugut insiton që Kim është mirë dhe po fshihet për t’u ruajtur nga pandemia e coronavirusit, mungesa e tij në festën e ditëlindjes së gjyshit (gjë të cilën nuk e ka bërë kurrë në të kaluarën) dhe daljet e pakta publike krahasuar me të një viti më parë, ka bërë që mediat të aludojnë mbi shëndetin e diktatorit.