Koronavirusi “pastroi” ajrin/ Në Europë, 11.000 vdekje më pak nga ndotja

30.04.2020 11:57:47

Izolimi që solli koronavirusi në Europë pati plot pasoja për njerëzit vetë dhe ekonominë, por përvecse frenoi përhapjen e virusit, ai solli dhe një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit në kontinentin e vjetër.

Një studim i fundit tregon se ky përmirësim ka bërë që të regjistrohen 11,000 më pak vdekje nga ndotja në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë në Europë.

Rënia e emetimeve industriale dhe atyre të shkaktuara nga trafiku rrugor ka bërë që të ketë 1.3 milion më pak ditë mungesash në punë, 6.000 fëmijë më pak kanë zhvilluar  astmë, 1.900 vetë kanë shmangur vizitat në dhomën e urgjencës dhe janë shënuar po ashtu 600 lindje të parakohshme më pak sipas Qendrës për Kërkime të Energjisë dhe Ajrit të Pastër, cituar nga The Guardian.

Teksa pandemia ka marrë që nga fillimi i vitit  mbi 220,000 jetë njerëzish nëpër botë, autorët e raportit thonë se përgjigja ndaj saj ka treguar se nje mjedis më i pastër dhe më i shëndetshëm është vërtet i mundur nëse bota e shmang ndotjen e karburanteve fosile.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nivelet e dioksidit të azotit kanë rënë me 40% ndërsa grimcat e imëta, të njohura si PM2.5 – është në rënie me 10%, që do të thotë se njerëzit pa Covid-19 mund të marrin frymë më mirë. Këto dy forma të ndotjes, të cilat dobësojnë zemrën dhe sistemin e frymëmarrjes, janë së bashku përgjegjëse për rreth 470,000 vdekje në Europë çdo vit.