KOSOVA DHE HEQJA DORË NGA SHTETËSIA E SAJ!!!

24.02.2019 11:07:13

Brez pas brezi, shqiptarët e Kosovës kanë luftuar, derdhur gjak e sakrifikuar për lirinë dhe shtetësinë e vendit të tyre.A ka mundur ta imagjinojë dikush, nga gjeneratat që kanë vdekur para viteve ’90, që bijtë, ose nipërit e tyre, pasi ta krijojnë edhe ndërkombëtarisht të pranuar shtetin e tyre në këtë vend, do të heqin dorë nga nënshtetësia e këtij vendi?!
Personalisht mbrëmë, u ndjeva tepër i shqetësuar, kur nga një kronikë që u dha nga Ministria e Punëve të Brendëshme, u folë për shifra alarmante qytetatësh që heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, që vetëm ne e dijmë se me sa vuajtje e sakrifica kemi ardhur deri këtu.Sikur edhe uji i detit të shndërrohej në ngjyrë, do të harxhohej derisa të përshkruheshin gjakimet e popullit të këtyre trojeve për të ardhur deri këtu, nga e cila ditë, nga i cili vend dhe nga i cili shtet tani heqim dorë vullnetarisht!!!
Babai im është rritur si “jetim shkau”, siç thoshte shpesh.I lindur në maj 1913, serbët ia marrin ushtar babanë në tetor 1913, pra pas pesë muajsh dhe humbet pa gjurmë në Luftën e Parë Botërore.Para se të vdiste, në moshën 83 vjeqare, në kohën kur Millosheviqi erdhi në pushtet dhe Serbia na zhveshi nga çdo e drejtë, thuaja çdo ditë debatonim për gjendjen aktuale me prindin tim dhe vazhdimisht mundohej të mi hiqte dy “iluzione” prej koke, që sipas tij nuk do të ndodhnin: largimin e forcave serbe prej Kosove dhe rënien e Millosheviqit! Të parin asesi nuk mund ta merrte me mend prindi im, të dytën thoshte, “nëse asgjë nuk ndodhë, vdekja e merr kasapin e Ballkanit!”
Dhe me prindin tim lidhëm një kusht në formë testamenti me gojë, që nëse ndodhin të realizohen këto dy “iluzione” të miat, siç i quante ai, nëse vdes ai, të shkoi te varri dhe t’i them se ato ndodhën.
Babai im shkoi në përjetësi në shtatorin e vitit 1996.Këto dy amanete që mi la u realizuan pas ndërhyrjes së NATO-s dhe luftës së vitit 1999. “Iluzioni” se serbët kurrë nuk e lëshojnë Kosovën, u realizua para rënies së Millosheviqit, për rënien e të cilit, prindi im i rritur jetim, megjithate besonte.Amanetin e parë të shkuarjes së Serbisë dhe pushtetit të saj nga Kosova, ia thashë tek varri më 17 qershor 1999, atë ditë kur u kthyem në shtëpi pas ekzodit 70 ditësh, kurse amanetin e dytë, pas dy vjetësh, pikërisht më 29 qershor 2001, një ditë pasi Millosheviqi ishte dorëzuar nga agjentët e tij në Tribunalin e Hagës!
I shqetësuar nga këso ndjenjash pasi dëgjova kronikën TV, se shumë qytetarë heqin dorë nga shtetësia e këtij vendi, pas gjithë asaj që ka ndodhor me ne e rreth nesh, mezi dikur vonë më zuri gjumi.
Sipas këtij raportimi nga kjo kronikë, vitin e kaluar kanë hequr dorë mbi 5700 qytetarë të Kosovës nga shtetësia e saj!!!Këtë vit deri më tash 380, me trend të rritjes çdo ditë!
Në anën tjetër, rreth 300 qytetarë të huaj kishin aplikuar për marrje të shtetësisë së Kosovës, brenda vitit paraprak.
Pra, raporti ishte 2o:1 në favor të kërkesës për lënien e shtetësisë dhe ikjes së qytetarëve nga ky vend.
Zyrtarët e Ministrisë së punëve të brendëshme, zv.Ministri Izmi Zeka, as nuk dinte çka të thoshte, për e sillte e pështillte dhe fajin ia linte pamundësisë për tu punësuar këtu dhe ikjes për të pasur kushte më të mira në vendet tjera!
Heqja e vizave, që është shndërruar në “gogol” dhe “shpresë”, për të ikur nga ky vend, do ta rrisë numrin e atyre që do të hiqnin dorë nga shtetësia e këtij vendi.
Sipas ligjeve në fuqi, sqaruan përfaqësuesit e MPB, “ai që e humb shtetësinë njëherë, më nuk mund ta rikthejë!”
Por, sipas të gjitha gjasave, në bazë të rrjedhave që i prodhon shoqëria kosovare, kërkesat për të rikthyer shtetësinë e këtij vendi, vështirë të jenë të pritshme! Për ata që vendosin të ikin nga ky vend, nuk është fort bezdisëse kjo punë!Atdheu duhet, por edhe ai duhet të ta shpërblejë këtë ndjenjë me mirëqenie e rehati!
“Ubi patria, ibi bene!”- thonin latinët (ku është atdheu, aty është mirë). Por, latinët kishin krijuar edhe maximën tjetër:”Ubi bene, ibi patria!”(ku është mirë, aty është atdheu).
Përditshmërinë dhe zhgënjimet gjithnjë e më të mëdha të njerëzve me gjendjen pas luftës dhe thellimin gjithnjë e më të madh të krizës shoqërore, sa vie e po shtohet numri i atyre që atdhe e zgjedhin, jo vendin ku kanë lindur, por atë që u krijon kushte për jetë normale, sepse fundi i fundit, një jetë kemi, e jo edhe ndonjë tjetër rezervë!