“Ne duhet ta shfrytëzojmë mundësinë historike, sepse nuk është e lehtë pas 27 viteve të arrihet një marrëveshje e tillë e ndjeshme me Greqinë, që na i hap dyert drejt BE-së, drejt perspektivave më të mira, prosperitetit ekonomik, mbajtjes së të rinjve në shtet, ruajtjen e tërësisë territoriale të këtij vendi”, citohet të ketë thënë Zaev nga “Deutsche Welle”.
VMRO-ja në opozitë, ndërkohë, vazhdon të bëjë fushatë kundër referendumit. Madje, sipas saj, nëse nisma nuk merr përkrahjen e qytetarëve më 30 shtator, atëherë Zaev do të jetë tërësisht i delegjitimuar dhe duhet të largohet nga pushteti.
Partitë parlamentare shqiptare janë shprehur se do të mbështesin pozitivisht referendumin për emrin, pasi me këtë hapet rruga e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Ato do të jenë pjesë e fushatës, duke i bërë thirrje elektoratit të tyre që të dalin për të votuar pro.