Kosova, konflikti i interesit dhe demitizimi i personaliteteve

01.03.2018 12:11:56

Nga Rexhep Kastrati

Në dukje, titulli i këtij shkrimi ka brenda vetes dy çështje të ndryshme që mund të mos kenë shumë lidhje me njëra-tjetrën, por në fakt, në kontekstin socio-politik, politiko-institucional dhe socio-ekonomik kanë shumë lidhje.

Një vendim i Ramush Haradinajt për dyfishimin e pagës së tij dhe të vartësve të tij në Qeveri, është një konflikt i hapur interesi, pasi që është vendim që u sjell përfitime vetë atyre. Në anën tjetër, Ramush Haradinaj, këtë rritje të pagës së tij dhe të vartësve të tij e ka bërë edhe në bazë të një miti të rrejshëm të krijuar për shkak të kohës së luftës, si një komandant, çlirimtar etj.

Pra në këtë rast konflikti i interesit dhe mitizimi i personaliteteve është në lidhje të ngusht, dhe si e tillë ka efekte të caktuara politike, ligjore dhe buxhetore në kontekstin socio-ekonomik të vendit.

Mirëpo, nuk është vetëm ky rasti i konfliktit të interesit dhe lidhja e tij me mitizimin e personaliteteve. Një ndërlidhje e tillë ka ekzistuar dhe ekziston në nivele qeveritare, partiake, por edhe në nivele të tjera socio-politike e socio-ekonomike.

Në fakt, kapja e shtetit ka ndodhur në konflikt të hapur interesi bazuar në mitin e çlirimtarit, të heroit dhe të luftëtarit. Por konflikti i interesit është bërë edhe nga të tjerë për të cilët është krijuar një mit i rrejshëm, kryesisht i krijuar nga korpusi medietik i kontrolluar nga strukura mafiozo-politike dhe agjenturore kundërshqiptare, nga rrjetet sociale dhe nga forma të tjera të afirmimit publik.

Në këtë rast bëhet fjalë për individë që në mënyrë shumë arbitrare dhe në interes të strukurave apo konjukturave të ndryshme privilegjohen dhe u jepet hapësirë e madhe medietike  dhe hapësirë tjetër të afirmimit publik, por që të njëjtëve u fshihen veprime të ndryshme edhe në konflikt të hapur interesi. Dhe kjo ndodh jo vetëm në nivel institucionesh shtetërore, por edhe në nivel të partive të ndryshme, që financohen nga buxheti i shtetit. Si në nivel institucionesh shtetërore, ashtu edhe në nivel të partive politike, konflikti i interesit është shumë i madh dhe ndërlidhja me mitin e krijuar për ta është shumë e madhe.

Kjo ndëridhje e konfliktit të interesit me mitizimin e personaliteteve të ndryshme është shtrirë si në vijën shtetërore, ashtu edhe në atë partiake, në nivel të përfitimeve në tendere, në borde të ndryshme dhe në institucione dhe forma të tjera të përfitimit në pozitë dhe në buxhet.

Në këtë kontekst, si ata që në konflikt të hapur interesi kanë rritur pagat e tyre, ashtu edhe kritikuesit e tyre, janë po aq të kritikueshëm në këtë kontekst dhe së bashku përbëjnë një tërësi të ndërlidhjes së konfliktit të interesit me mitizimin e personaliteteve. Kjo ka të bëjë me atë që në popull thuhet: hajni po i thotë hajnit ke vjedh!

Prandaj, përveç çlirimit nga hipokrizia, duhet të çlirohemi edhe nga mitizimi, përkatësisht nga heshtja përballë konfliktit të interesit në bazë të këtij mitizimi. E kjo nuk mund të ndodhë pa u bërë demitizimi i personaliteteve të ndryshme.

Demitizimi i personaliteteve do të thotë që personalitetet e mitizuar të mos i shohim ndryshe, pos si persona si gjithë të tjerët që kanë po aq përgjegjësi ligjore sa pjesa tjetër e shoqërisë. Pra, kur të arrijmë që të çlirohemi nga ngurrimi personal dhe shoqëror që të mos kritikojmë, apo të mos mbrojmë personalitete të ndryshme, të cilët janë të afirmuar në bazë të luftës, në bazë të afirmimit medietik dhe të fomrave të ndryshme të afirmimit publik, por të jemi kritikë dhe të kërkojmë llogaridhënie për të gjitha veprimet si brenda institucioneve, edhe brenda partive politike, por edhe në të gjitha nivelet tjera që funksionojnë në bazë të mundësive buxhetore.

Në të kundërt, çdo herë do të jetë i lartë keqpërdorimi buxhetor, i lartë do të jetë konflikti i interesit dhe i lartë do të jetë komoditeti i atyre që bazuar në mitizimin e tyre, janë të pakritikueshëm dhe të mbrojtur nga mitizuesit dhe pranuesit e miteve të tilla.