Kosova në rrezik nga klasa politike dhe korpusi medietik i kontrolluar nga agjentura kundërshqiptare

28.05.2018 12:18:19

Nga Rexhep Kastrati

Aleksandër Vuçiq ua ka nxjerrë faqen e zezë politikanëve në Kosovë, duke thënë një të vërtetë të hidhur: ata janë pro ndarjes së Kosovës! Edhe pse duket e hidhur, megjithatë, e vërteta është se klasa politike në Kosovë, veçanërisht dy linjat kundërkombëtare: linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste, kanë dalë në skenën politike, kanë përdorë dhe po përdorin të gjithë mekanizmat financiarë, politikë dhe shtetërorë për të realizuar interesa serbe në Kosovë, përkatësisht ndajrjen e saj.

Për të arritur këto qëllime, këto dy linja u angazhuan në të gjitha aspektet politike, ushtarake, mediale dhe diplomatike, duke bërë një luftë të ashpër kundër linjës institucionaliste të presidentit Rugova. Këto dy linja u bënë zotërues të një korpusi medietik që bënë luftë speciale kundër presidentit Rugova dhe kundër LDK-së, monopolizuan të drejtën e paraqitjes në emër të luftës, të nënshkrimit të marrëveshjeve në emër të saj, por edhe të realizonin ndarjen e brendshme etnike,si parakusht për krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, ose ndarjen e saj përfundimtare.

Ndaj linjës institucionaliste të presidentit Rugova u bë e fuqishme një fushatë për denigrimin e vetë presidentit Rugova dhe të personaliteteve të rëndësishme të saj, një fushatë vrasjesh dhe linçimesh politike, obstruksionesh dhe shantazhesh të ndryshme, me qëllim spastrimin e saj nga ta, kurse në anën tjetër realizonin një fushatë afirmimi politik, medial dhe tjetër të personaliteteve injorante, që nuk kanë lidhje me LDK-në apo me filozofinë politike të presidentit Rugova me qëllim pushtimin e brendhsëm të saj, apo çarjen dhe dobësimin e saj.

Tërë këto bëheshin për të rrënuar pikërisht konceptin e presidentit Rugova dhe të LDK-së për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi në përgjithësi, koncept që kishte pavarësinë e plotë dhe si zgjidhje kompromisi për Kosovën, dhe një lloj pavarësie të brendshme për shqiptarët në territoret e tyre në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovë Lindore, e jo ndarjen e Kosovës dhe devalvimin e pozitës së shqiptarëve në territoret e tyre në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia.

Për fat të keq, gjatë viteteve u forcua, u legalizua dhe u kodifikua në aspektin juridiko-kushtetues, ndarja e Kosovës mbi baza etnike, kurse linja institucionaliste e presidentit Rugova është spastruar dukshëm nga personalitete të rëndësishme të saj qoftë nëpërmjet vrasjeve, qoftë nëpërmjet formave të ndryshme dhe të luftës speciale, e që kanë krijuar një realitet të këtillë që idea e ndarjes së Kosovës të mos jetë më ide e keqe për Kosovën, por të pranohet si një zgjidhje reale, ani që formalisht kamuflohet nën konceptin e shkëmbimit të territoreve.

Ndarja e Kosovës, qoftë edhe si shkëmbim territoresh, nuk ka të bëjë ndërkaq thjesht me vullnetet e Serbisë dhe të një klase politike mjerane të Kosovës, por ka të bëjë me procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë që është bërë në bazë të parimeve të Badinterit, përkatësisht të Grupit të Kontatit për Kosovën, e që kufijtë administrattivë të ish-njësive federale, e që ishin pavarësuar, të konsiderohen kufij shtetërorë dhe si të tillë të pandryshueshëm.

Pra, ndarja apo shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bie ndesh me procesin e gjertanishëm të procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e i cili, po e përsëris për të satën herë gjatë viteve, nuk ka përfunduar ende, prandaj edhe ka efekt zinxhir në tërë shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, në kuptimin e fillimit të ndryshimit të kufijve ndërmjet tyre, e që mund të shërbejë si bazë për konflikte të reja në rajon.

Për këtë arsye, bashkësia ndërkombëtare në parim ka kundërshtuar ndarjen e Kosovës, madje ka kodifikuar edhe në kushtetutën e Kosovës mosndryshimin e kufijve të saj. Kjo nuk do të thotë se ndarja e Kosovës nuk ka mbështetje të shteteve të caktuara, por që nuk e thonë hapur për shkak të qëndrimit zyrtar të BE-së dhe të SHBA-ve.

Në fakt, gjithë përqëndrimi është që ndarja e Kosovës të paraqitet si vullnet politik i dy shteteve, pra si një vullnet për një ndarje paqësore, që do të konsderohej më e mirë sesa funksionaliteti i dobët i Kosovës si shtet dhe që prodhon kriza të vazhdueshme që nga ato politiko-institucionale e deri te ato rajonale.

Dhe ky është investimi i Serbisë në Kosovë dhe i aleatëve të tyre në frymën e asaj që Milosheviq i ka thënë amabsadorit Holbruk: Kosova mund të jetë shtet që nuk i duhet askujt. Pra një shtet i dështuar.

Dhe pikërisht për ta dështuar Kosovën si shtet, në Kosovë është instaluar një klasë politike e mjerë, e shantazhueshme dhe e kontrolluar nga Serbia dhe nga agjentura të shteteve aleate të saj.

Edhe korpusi medietik është i mbushur, i kontrolluar dhe i monopolizuar nga rekrutë agjenturash kundërshqiptare, e që kanë bërë dhe bëjnë spastrimin e trurit të shoqërisë sonë, afirmimin medial të produkteve të ndryshme mediale, agjenturore dhe që në thelb nuk kanë as përgjegjshmërinë, as integritetin moral, politik dhe kombëtar për të realizuar dhe adoptuar politika të mirëfillta kombëtare.