Kosova, pa asnjë aksident ajror

23.09.2016 17:38:28

Kosova nuk ka pasur deri më tani asnjë aksident ajror, siç nuk ka pasur ndonjë kërcënim apo ndërhyrje në masat e sigurisë së aviacionit civil.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Kolegji “Tempulli”, me temë ‘Kosova si qendër e rëndësishme e udhëtarëve në regjionin e Evropës Juglindore dhe kërkesat për shërbime shtesë në trafikun ajror’, ku u tha se trafiku por edhe transporti ajror në Kosovë janë duke lëvizur përpara në industrinë e aviacionit në regjion dhe më gjerë.

Po ashtu u tha se Kosova është një pikë e rëndësishme referimi në hartën e trafikut ajror ndërkombëtar, e cila çdoherë e më shumë ofron mundësi më komode për udhëtim.

Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar “Limak Kosova”, Adem Gashi, tha se nuk ballafaqohen me ndonjë problem që kërkon ndërhyrje urgjente.

E udhëheqësi i Divizionit për sigurim të aviacionit civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kastriot Gashi tha se që nga paslufta, Kosova nuk ka pasur ndonjë kërcënim në masat e sigurisë së aviacionit civil.

Kurse, kryeshefi ekzekutiv i Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bahri Nuredini, ka bërë një prezantim për synimet e Agjencionit të Shërbimeve të Navigimit Ajror, në ngritjen e kapaciteteve teknike, njerëzore dhe procedurale.