Kosova po paguan haraçin e krimit dhe të apologjisë mediatike të tij

05.08.2016 19:43:38

Rexhep Kastrati

une

Sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës i realziuar mbrëmë rreth orës 23, është i fundit në radhën e sulmeve politike që institucionet e Kosovës kanë pësuar në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 1999 kur ishte synuar vrasja e presidentit Rugova. Si i këtillë, ky sulm është vetëm vazhdimësi e dhunës politike, që filloi me vrasjen e Ali Ukajt, vazhdoi me vrasjen politike të Afrim Maliqit, Hyzri Tallës, Ilir Dyrmishit, Mirush Dakajt, kolonel Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, doktor Hazir Malës, Enver Malokut, Shaban Manajt, Shefki Popovës, Ekrem Rexhes, Ukë Bytyçit, Ismet rracit, Xhemail Mustafës, Bekim Kastratit, Besim Dajakut, kolonel Tahir Zemajt, Smajl Hajdarajt, Sebahate Tolajt, Isuf Haklajt dhe shumë të vrarëve të tjerë. Qëllimi i këtyre vrasjeve ishte që të eliminohej një linjë politike, linja e institucionaliste e presidentit Rugova, kundërhstarët brenda linjës së Tiranës/Kretës, si dhe eliminimi i gazetarisë kundërvënëse ndaj krimit politik. Në këtë kuptim, vrasja e gjithë këtyre, por edhe e shumë të tjerëve, ishte sulm mbi politikën institucionale, mbi vetëdijen politike institucionale. Rrënimi i institucioneve të Kosovës, në fakt ishte qëllimi kryesor i linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste, të cilat në një bashkërendim të plotë të dhunës dhe të mbështetjes mediatike, arritën që të rrënojnë institucionet e Kosovës në krye me presidentin Rugova, dhe i hapën rrugë dukurive të këqija, siç ishin ndarja e Kosovës mbi baza etnike, manipulimin e luftës sl UÇK-së, gjakut të dëshmorëve, të masakrave mbi popullatën civile, uzurpimin e pronave shoqërore, publike dhe private, dhe në raste, edhe të pronës private. Dhuna politike kishte marrë hov dhe ishte e qartë se ishte e organizuar dhe e planifikuar, në bashkëpunim edhe me shërbime të ndryshme sekrete të interesuara për destabilizimin e vendit dhe për pengimin e procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Serbia me kohë kishte shpallë ndarjen e Kosovës si një nga alternativat e saj, qoftë nëpërmjet ndarjes klasike, qoftë edhe nëpërmjet të të ashtuquajturit shkëmbim të territoreve. Dhe gjithë kjo kishte një mbështetje të fortë mediatike, të cilat bënin jo vetëm apologjinë e krimit, por edhe një luftë speciale kundër linjës institucionaliste të presidentit Rugova, kundër gazetarëve që e mbështesnin këtë linjë dhe kundër çdo elementi tjetër që konsiderohej pengesë në angazhimet e tyre kriminale. Baza mbi të cilën mbështetej kjo filozofi e dhunës ishte baza e manipulimit emocional me ndjenjat kombëtare të qytetarëve: duke filluar nga presidenti Rugova e deri te veprimtari më periferik i linjës institucionaliste të presidentit Rugova, ishin bërë objekt fushatash primitive të shpifjeve, fyerjeve dhe denigrimeve. Nëpërmjet tyre synohej që të ngjallej urrejtja dhe të përgatitej terreni për vrasjet politike. Thelbi i luftës speciale ishte që linjën institucionaliste të presidentit Rugova ta paraqitnin si tradhtare, dorë të Beogradit etj., nga të cilat nuk kurseheshin as gazetarët mbështetës të saj, një pjesë e të cilëve u vranë: Shefki Popova, Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, kurse të tjerë, u kërcënuan dhe u sulmuan edhe me bomba. Mjafton të kihen parasysh vetëm seria e shpifjeve dhe e fushatës medatike kundër meje, e zhvilluar pas luftës nga pamflete të tilla si “Epoka e re”, “Rilindja”, “Gazeta e re”, nga agjensioni “Kosovapress” etj., për të kuptuar thelbin e dhe dinamikën e fushatave të tilla primitive. Në këtë kuptim, Kosova që nga paslufta është duke paguar haraçin e krimit politik dhe të apologjisë mediatike ndaj tij, raport që me kalimin e viteve ka marrë forma dhe mënyra të ndryshme, të cilat janë varur dhe varen shumë nga zhvillimet socio-politike në Kosovë, ku bëjnë pjesë edhe raportet brenda linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste, si dhe brenda vetë këtyre dy linjave. Dhe faktorë që ndikuan në raportet e tyre kanë qenë dhe janë raporte agjenturash, raporte biznesi, raporte plaçkash, raporte pushteti etj. Linja e Tiranës/Kretës që kishte mekanizmat e dhunës dhe linja udbasho-jugosllavokomuniste qe kishte mekanizmat medietikë, bënin luftë të përbashkët kundër linjës institucionaliste të presidentit Rugova, por, po ashtu, kishin një rivalitet qoftë për prenë, pra për strukturat dhe për trupëm zgjedhore të saj, qoftë edhe për synimet biznesore dhe të pushtetit. Pra, këto dy linja ishin dhe kanë mbetur bashkë kur bëhet fjalë për linjën istitucionaliste të presidentit Rugova, por ishin shumë të përçarë dhe konfliktualë ndërmjet tyre, kur bëhej fjalë për biznese dhe pushtet. Në këtë mënyrë, që në zgjedhjet e para të përgjithshme ishte vënë re një unitet për të penguar linjën institucionaliste të presidentit Rugova për të marrë pushtetin e dhënë nga zgjedhësit, qëllim që ka qenë dhe ka mbetur i përbashkët edhe sot e gjithë ditën. Dhe një nga arsyet, apo arsyeja kryesore e protestave të dhunshme, pra edhe me sulme të ndryshme ndaj ndërtesës së Qeverisë, ndaj ndërtesës së Kuvendit, ndaj shtëpisë dhe pronave të kryeministrit Mustafa, është pikërisht marrja e pushtetit nga LDK-ja. Të gjitha arsyet tjera janë vetëm maskë dhe mënyrë për manipulimin e emocioneve kolektive të shqiptarëve. Në fakt, marrja e pushtetit nga ana e LDK-së ndodhi në një kohë kur Kosova ka hyrë në një fazë shumë të ndjeshme të porcesit të shtetndërtimit, dhe u bë pikërisht për këtë arsye. Në këtë fazë, Kosova përmbylli procesin e MSA-së, ka bërë hapa të fuqishëm për liberalizimin e vizave, si dhe është në proces të shndërrimit të FSK-së në FA. Edhe negocitat në Bruksel kanë hyrë në një fazë të ndjeshme. Gjatë kësaj kohe është intensifikuar lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe pritet të funksionalizohet Gjykata speciale. Të gjitha këto kanë trazuar edhe strukturat mafiozo-politike, edhe ato medatike të përfshira në fushata primitive dhe luftash speciale. Po ashtu, ka filluar një luftë e thellë e brendshme ndërmjet të ashtuquajturve peshq të mëdhenj, ku vihet re arrestimi i Azem Sylës dhe i grupit të tij, dhe pritjet për arrestime të tjera të mëdha. Në gjithë këto procese, duket se roli i Qeverisë në krye me kryeminstrin Mustafa është qeverisja e vendit, kurse roli i Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit është që t’ua thyejnë gishtat shokëve dhe ish-shokëve të tyre. Ka ardhë koha që komandantët dhe matrapazët tjerë të bien nga skena, ndoshta edhe të futen në burg. Dhe të tillët duan shpëtim duke u fshehur mbrapa epoletave, por edhe mbrapa manipulimit me emocione kolektive të shqiptarëve. Dhe në këtë funksion janë mobilizuar struktura kriminale, struktura mediatike, që në harmoni dhe në bashkëpunim e bashkërendim të plotë duan të përmbysin shtetin. Duket se e kanë vënë veten para alternativës: o burgun, o përmbysjen e shtetit. Dhe pikërisht në këtë kontekst duhet parë edhe sulmin e mbrëmshëm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.