KQZ PUBLIKON DOKUMENTIN PËR PROCESET ZGJEDHORE 2000-2014

02.02.2017 17:15:37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shënuar Ditën Globale të Zgjedhjeve, në të cilën ka publikuar një dokument në të cilin janë të përgatitura proceset zgjedhore nga viti 2000, kur janë organizuar zgjedhjet e para në Kosovë, e deri tek ato të vitit 2014.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka tha para të ftuarve se sot janë bërë bashkë me pjesën tjetër të botës demokratike që të shënojnë këtë ditë, për të treguar përkushtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të forcuar dhe avancuar demokracinë në vend përmes zgjedhjeve.

“Dita Globale e Zgjedhjeve të cilën e festojmë sot na kthen prapa në vitin 2005 kur ekspertët e zgjedhjeve nga e gjithë bota përmes konferencës Globale me zyrtarët e Zgjedhjeve që u mbajt në Hungari dërguan mesazhin lidhur me nevojën jetike për të forcuar procesin e zhvillimit demokratik në të gjithë botën. Ky mesazh është i lidhur ngushtë me të drejtën universale të njeriut, të drejtën e votës. Prandaj përmes shënimit të kësaj dite duam të shprehim përkushtimin tonë për të vazhduar në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore si institucion i pavarur”, tha Daka.

E para e KQZ-së, më tutje shtoi se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themeli i angazhimit të tyre institucional, sepse sipas saj, qëllimi i tyre është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe akterëve tjerë të procesit zgjedhor.

Daka foli edhe për dokumentin e publikuar sot, për të cilin tha se paraqet të dhëna të detajuar për proceset e zgjedhjeve të zhvilluara nga viti 2000 deri me 2014.

“Ky është një dokument që shfaq të dhëna që kanë karakterizuar proceset zgjedhore në Kosovë, që nga viti 2000 kur për herë të parë në Kosovën e pasluftës organizohen zgjedhjet komunale. Dhe që nga ajo kohë e deri të shpallja e pavarësisë së Kosovës u organizuan edhe disa procese tjera zgjedhore”, shtoi ajo.

Kryetarja Daka ka folur edhe për sukseset e institucionit që ajo drejton, siç është anëtarësimi në Asociacionin e Zyrtarëve Zgjedhor Evropian (ACEEEO) dhe Asociacionin e Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB).

Po ashtu, Daka numëroi edhe përparimet që ka bërë KQZ-ja prej ardhjes së saj në krye të këtij institucioni.

“Unë jam emëruar kryetare e KQZ-së në një kohë kur për rezultatet preliminare nga ndonjë komunë duhej të prisnim me orë dhe ditë të tëra në grumbullimin e të dhënave nga të gjitha qendrat e votimit. Por, prej vitit 2012 është shumë më ndryshe, përmes mundësive që janë krijuar nga teknologjia sot rezultatet i shfaqim drejtpërdrejt pas përfundimit të numërimit në vendvotime”, u shpreh Daka.

Që nga viti 2000 deri në vitin 2014 janë mbajtur dhjetë palë zgjedhje, pesë për Kuvendin e Kosovës dhe pesë të tjera për Kuvende Komunale, duke përfshirë edhe tri palë zgjedhje nga viti 2007 për kryetar të komunave.