Reagon Policia e Kosovës: Mediat serbe po spekulojnë, nuk ka shtim të...

Reagon Policia e Kosovës: Mediat serbe po spekulojnë, nuk ka shtim të forcave në Mitrovicë

02.02.2017 17:08:40

Policia e Kosovës, përmes një komunikate ka thënë se vlerësimeve dhe informacioneve aktuale gjendja e sigurisë në përgjithësi është stabile dhe në suaza të parametrave të qëndrueshëm.

Andaj, përcjell Telegrafi, Policia ka thënë se nuk ka nevojë për shqetësime të çfarëdo natyre që mund të rrjedhin nga spekulime të ndryshme qoftë mediatike apo të tjera.

Ky reagim i Policisë së Kosovës ka ardhur pas mbledhjes së një grupi të serbëve afër Urës së Ibrit në Mitrovicë, të cilët siç thuhet po protestojnë për “mos rrëzimin e murit të ndërtuar aty”.

Ata, siç është bërë e ditur, janë mbledhur aty për shkak se “janë krijuar rrethana për rrënimin e murit”.

Në këtë drejtim, Policia e Kosovë inkurajon të gjithë qytetarët që të iu referohen informacioneve zyrtare dhe të mos bien pre e çfarëdo dezinformate që mund të plasohet nga qarqe dhe për qëllime tjera destruktive.

Lexoni komunikatën e plotë të Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës duke u bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore për mbajtjen e rendit, sigurisë publike, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të vendit është duke realizuar aktivitete të vazhdueshme rutinore në funksion të zbatimit të ligjit dhe garantimit të një ambienti të sigurt për të gjithë.

Të gjitha këto aktivitete janë duke u realizuar sipas orareve të rregullta të angazhimit policor.

Referuar shkrimeve apo publikimeve nga disa mediume të Serbisë, ku sipas informacioneve që posedojmë janë në qarkullim spekulime tendencioze gjoja se Policia e Kosovës ka shtuar prezencën dhe aktivitetet e veta nëpër lokacione të caktuara, ku si rrjedhojë në orët e pasdites erdhi deri te grumbullimi i rreth 200 personave në rrugën ”Mbreti Petër” në Mitrovicë.

Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik Policia e Kosovës sipas vlerësimeve dhe informacioneve aktuale konstaton se gjendja e sigurisë në përgjithësi është stabile dhe në suaza të parametrave të qëndrueshëm, përderisa nuk ka nevojë për shqetësime të çfarëdo natyre që mund të rrjedhin nga spekulime të ndryshme qoftë mediatike apo të tjera.

Policia e Kosovë inkurajon të gjithë qytetarët që të iu referohen informacioneve zyrtare dhe të mos bien pre e çfarëdo dezinformate që mund të plasohet nga qarqe dhe për qëllime tjera destruktive.